Spitali i Urgjencës dhe Patologjisë në Elbasan, përfundon brenda qershorit të 2019

TIRANË, 24 janar/ATSH/-  Ndërtesa e vjetër e Spitalit të Kirurgjisë, ndërtim i vitit 1976, në qytetin e Elbasanit, prej më se 6 muajsh i është nënshtruar rikonstruksionit të thellë, për ta kthyer në Spital të Urgjencës dhe të Patologjisë, me dy shërbime kryesore, Neurologjinë dhe Kardiologjinë.

Spitali do të ofrojë një shërbim me rreth 76 shtretër, 25 për urgjencën, 35 për kardiologjinë, 23 për neurologjinë, sipas standardeve të një spitali rajonal.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirliu inspektoi sot punimet në këtë spital.

Rama theksoi se “është shumë e rëndësishme të ndryshojë koncepti për spitalin, duke e trajtuar si një mjedis ku pacientët duhet të marrin shërbimin me qetësi dhe rregull”.

“Gjithë sfida është të dalë populli nga spitali, në kuptimin që spitalet janë për pacientët, ku vijnë në qetësi, në rregull, të ketë orar vizitash për familjarët, por nuk mund të jetë spitali pikë grumbullimi e gjithë dynjasë. Patjetër duhet investuar në këtë pjesë, pasi spitali është një territor ku duhet të ketë rregull dhe qetësi të madhe. Këtu ka ndodhur një transformim i madh, për hir të së vërtetës. Ishte një llahtar. Tani ka marrë formë,” – u shpreh Kryeministri.

Kreu i qeverisë u shpreh se ky transformim duhet të shoqërohet me një rregull të brendshëm funksionimi, që spitali të mos kthehet në një “vijë kalimi hyr e dil”.

Ndërsa ministrja Manastirliu tha se “jemi duke përfunduar rehabilitimin për ta kthyer në një spital të Urgjencës dhe Patologjisë, me dy shërbime kryesore, Neurologjinë dhe Kardiologjinë, përveç sistemit të urgjencave që do të priten dhe do të jenë të organizuar në funksion të dhënies së një shërbimi të shpejtë për qytetarët, duke qenë se do të ketë organizimin me laboratorin dhe imazherinë që e pamë tek ana tjetër”.

“Ky spital përfundon rreth muajit qershor, ndoshta edhe më parë. E gjitha sipas standardeve të parashikuara për një spital rajonal”, – u shpreh ministrja Manastirliu.

Ajo bëri të ditur se poliklinika e Vlorës përfundon brenda muajit mars-prill, ndërsa Pediatria e Durrësit përfundon brenda vitit. /k.s/a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.