Shqipëria e viteve ’90, periudhë e rëndësishme për historinë e vendit

TIRANË, 24 janar /ATSH/ – Kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, i pranishëm në çeljen e ekspozitës “Kthim në kohë. Shqipëria e viteve ‘90-të” e fotografit dhe antropologut austriak Robert Pichler, e kuruar nga Edit Pula, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar u shpreh se kjo ekspozitë është një rikthim në fëmijëri.

“Rikthim në fëmijërinë tonë  që ka qënë e vështirë, një rikthim për t’u parë në pasqyrë për të kuptuar ku ishim e ku jemi sot, na bën të kemi një bilanc mentaliteti kulture dhe emancipimi ndërkohë që jemi duke reflektuar”, tha ai.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, u shpreh se Shqipëria e viteve 90-të është një periudhë e rëndësishme për historinë e Shqipërisë.

“Jam shumë i lumtur dhe i emocionuar që keni ardhur këtu sot. Koha kur kam qenë këtu nuk ishte shumë e mirë, por diçka është e qartë që kam marrë shumë nga shqiptarët dhe nuk do të isha këtu pa Shqipërinë. Gjatë kohës që isha këtu kam marr njohuri dhe mikpritje, gjë që është e rëndësishme për një studiues. Fotot dhe videot që kam incizuar janë pronë e shqiptarëve e jo imja”, tha fotografi dhe antropologu austriak Robert Pichler.

Ekspozita “Kthim në kohë. Shqipëria e viteve ‘90-të” e nisi udhëtimin e saj me autobus dhe u përurua fillimisht në stacionin e autobusëve të zonës së veriut në Tiranë 18 muaj më parë. Autobusi i linjës Kombinat-Kinostudio veshur me fotografitë e ekspozitës do ti bashkohet koleksionit “Kthim në kohë. Shqipëria e viteve 90-të” në versionin e saj si ekspozitë në levizje, ku ashtu sikur edhe në qytetet e tjera disa nga autobusët e linjës, veshur me fotografitë e fotografit dhe antropologut austriak Robert Pichler ende i ndesh në rruget e qytetit të Vlorës, Shkodrës, Gjirokastrës dhe Tropojës duke mbajtur në bark të tyre udhëtarët e së tashmes dhe mbi kurriz dëshmitë e Shqipërisë së atëhershme.

/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.