Rezonanca magnetike investimi më i ri prej 770 mijë dollarë për qytetarët e Elbasanit

TIRANË, 24 janar/ATSH/ – Qarku i Elbasanit do të ketë brenda muajit qershor një qendër spitalore rajonale rrënjësisht të transformuar në infrastrukturë dhe teknologji.

Ndërsa është drejt përfundimit Spitali i Urgjencës, po modernizohen shërbimet me aparatura të teknologjisë bashkëkohore. Rezonanca magnetike është investimi më i ri. Prej 10 ditësh pajisja e teknologjisë më bashkëkohore ka nisur funksionimin, duke u vënë në shërbim të qytetarëve të Elbasanit dhe jo vetëm.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në kantierin e këtij spitali, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu shpjegoi se me rezonancën magnetike, me vlerë 770 mijë dollarë, kompletohet i gjithë shërbimi i imazherisë, tejet i rëndësishëm për diagnostikimin e një sërë sëmundjeve.

“Rezonanca e re magnetike kompleton të gjithë shërbimin e imazherisë. Të gjitha aparaturat e tjera që janë investuar, grafia e lëvizshme janë të përqendruara në një ambient të posaçëm. Grafia dixhitale ka ardhur në këtë spital në kuadër të programit të Bankës Botërore që kemi bërë për modernizmin e spitaleve, së bashku me një set aparaturash të tjera. Pjesë e këtij investimi është gjithashtu edhe rezonanca në vlerën e 770 mijë dollarëve, e cila është instaluar dhe është në funksion të plotë. Nëse deri dje imazheria ishte e shpërndarë, skaneri, grafia, tashmë janë të gjitha të përqendruara në një ambient”.

Një shërbim i munguar dhe i mirëpritur nga qytetarët, por edhe stafi, u vlerësua nga ekipi i mjekëve të këtij shërbimi.

“Është rezonancë e vitit 2018 me imazh të kthjellët, të qartë. Do t’i shërbejë shumë mirë pacientëve të prefekturës sonë, duke pezulluar kalimin në Tiranë, apo në rrethe të tjera,” -u shpreh një nga mjekët imazheristë.

Duk qenë se rezonanca e re i shërben qytetarëve të të gjithë qarkut të Elbasanit, ministrja Manastirliu tha se kjo do të shkurtojë deri në 4 javë listën e pritjes për të kryer këtë ekzaminim, një kohë optimale kjo edhe për vende të BE-së.  /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.