Programe për nxitjen e punësimit të të rinjve

TIRANË, 24 janar /ATSH/ – Ndryshimet në projektligji i ri “Për nxitjen e punësimit”, parashikojnë programe mbështetëse, që i japin më shumë prioritet grupeve të caktuara të të rinjve për punësim, në përditësim me tendencat e tregut të punës në ditët e sotme.

Projektligji ka kaluar në Kuvend për diskutim, ndërsa relacioni shpjegues i tij, fokusohet tek programet e veçanta që nxisin dhe mbështesin punësimin e të rinjve sipas grup moshave të caktuara.

Sipas relacionit programet e reja të parashikuara në pr.ligj janë: Programe e garancisë rinore, që përdoren edhe nga vendet e ndryshme europiane. Këto  programe parashikojnë angazhimin e të rinjve të regjistruar si punëkërkues të papunë, që brenda një periudhe disa mujore të angazhohen në një nga programet të praktikave profesionale ose të marrin formim nëpërmjet punës.

Një program tjetër është “transport për në vendin e punës”, i cili parashikon rastet kur vendi i punës është larg vendbanimit të punëkërkuesit dhe për të mos e penguar, programi merr përsipër pagesën e transportit. Ndërsa programet e formimit profesional, si pjesë e programeve aktive të tregut të punës parashikon t’u shërbejë si punëkërkuesve, edhe punëdhënësve, duke realizuar kurse mësimore tekniko-praktike.

Gjithashtu, janë parashikuar edhe forma të tjera mbështetje për ofruesit publikë dhe privatë për t’u mbështetur financiarisht për kryerjen e kurseve për punëkërkuesit e papunë, për profesione të kërkuara në tregun e punës, sipas kërkesave të strukturave rajonale/vendore. /e.xh//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.