Mbledhja e parë e qeverive Kosovë-Maqedonia e Veriut, pritet në maj

PRISHTINË, 24 janar /ATSH/ Zv.kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj priti sot në takim zyrtar zv.kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, me të cilin diskutoi për një sërë temash të bashkëpunimit bilateral, si dhe për mbledhjen e parë të përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut që pritet të mbahet në muajin maj.

Hoxhaj e uroi zv.kryeministrin Osmani për votën në parlamentin e Maqedonisë së Veriut për Marrëveshjen e Prespës për zgjidhjen e çështjes së emrit, si dhe ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe.

Hoxhaj tha se kjo është arritje e madhe për Maqedoninë e Veriut dhe rrugën e saj të integrimit euro-atlantik, por edhe arritje për shqiptarët dhe rolin e tyre konstruktiv që kanë treguar gjatë proceseve më të rëndësishme për vendin.

Ndërkohë, zv.kryeministri Osmani foli edhe për ndërtimin e aneksit të autostradës nga Shkupi deri në Bllacë, e cila do ta zvogëlojë ndjeshëm kohën e lëvizjes nga njëri shtet në tjetrin. /KosovaPress/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.