Krijimi i ASHK dhe dixhitalizimi i arkivave, zgjidh përfundimisht problemin me pronat

TIRANË, 24 janar /ATSH – I. Vata/ – Krijimi i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), dixhitalizimi arkivave, akti i verifikimit vetëm një herë, regjistrimit të lejeve të legalizimit, rritja e numrit të shërbimeve dhe kryerja e shërbimit në një sportel, do të zgjidhë përfundimisht problemin me pronat dhe shërbimin e qytetarëve, u shpreh sot Kryeregjistruesi i ZRPP, Valdrin Pjetri, në prezantimin e analizës vjetore.

Në analizën e bërë, Pjetri theksoi se është bërë shumë për lehtësimin e marrjes së shërbimit për qytetarët.

“Referuar vitit 2018, mund ta konsideroj një vit të suksesshëm për ZRPP Tiranë, duke patur një rritje të performancës, pasi çdo qytetar e ka përgjigjen e vet”, tha ai.

Në vijim ai shtoi se “referuar vitit 2017 ankesat në ZRPP Tiranë janë në zbritje, kjo është lehtësisht e shpjegueshme pasi në fillim të vitit 2018 ne gjetëm një stok të madh të praktikave të patrajtuara, të gjitha praktikat jashtë afatit, kjo shpjegon dhe radhë të gjata që ne gjetëm në fillim të vitit të kaluar para zyrave tona, por duke u angazhuar zyra e Tiranës u bë e mundur që këto praktika të zgjeroheshin në nivelin 93, 94, 95 % dhe kështu qytetarët kanë përgjigjen e tyre mbi praktikën e aplikuar”.

“Një risi tjetër që u bë në vitin 2018 në Hipotekën së Tiranës ishin edhe aktet e verifikimit. Akte e verifikimi janë kur dosja i kthehet mbrapsht qytetarit me listën e dokumentacioneve që qytetari duhet të plotësojë për të marrë shërbimin. Më përpara në vitin 2017, 2016, 2015 lëshoheshin akte verifikimi, pra qytetari plotësonte disa herë aktet e verifikimit para se të merrte shërbimin në zyrën e Tiranës. Në vitin 2018, nxorëm një urdhër ku akte verifikimi për një dosje duhet të këtë vetëm një herë dhe ky akt duhet të jetë firmosur nga juristi dhe hartografi dhe qytetari me plotësimin e dokumentacioni pajiset me shërbimin në dorë, pra me certifikimin e pasurisë së tij”, tha ai.

Dixhitalizimi i 47 milionë fletëve të akumuluar ndër vite do shpëtojë dokumentacionin manual.

“Vizioni i Tiranës 2019 do të jetë dixhitalizimi i arkivave. Gjatë vitit 2018 është bërë projekti në zyrën qendrore dhe është shtrirë efekti në 35 zyrat tona. Do të fillojë shumë shpejt procesi i dixhitalizimi, pasi  sot në arkivat tona kemi 47 milionë fletë të akumuluara ndër vite që me krijimin e shtetit shqiptar të cilat ruhen në arkiva manuale dhe rrezikohen të prishen. Ne kemi menduar në citin 2018, kemi bërë projektin, ka nisur procedura dhe shumë shpejt në muajin shkurt do të nis procedura e dixhitalizimit të arkivave të zyrave vendore. Kjo procedurë është një hap i madh në zyrat tona, besoj se ky projekt zgjat 8-10 muaj dhe do të kemi një arkiv dixhital të arkivave tona”, tha Pjetri.

Një tjetër angazhim nga ZRPP, ishte dhe regjistrimi i lejeve të legalizimit, që aktualisht është në 10 mijë të tilla nga 20 mijë që ishte vitin e kaluar.

“Për sa i përket vizioni do të jetë përfundimi i regjistrimit të lejeve të legalizimit, inventari fizik që ne bëmë para pak ditësh në zyrën e Tiranës rezulton të jenë 10 mijë leje të paregjistruara. Në vitin 2018 ku stok ishte 20 mijë leje dhe ne kemi vendosur se deri muaj korrik 2019 ne do të përfundojmë regjistrin e çdo leje legalizimi”, tha Kryeregjistruesi i Tiranës.

Një tjetër çështje është dhe shtimi i shërbimeve për të marrë përgjigje brenda 24 orëve.

“Rritja e numrit të shërbimeve është një tjetër arritje, pasi këtë vit janë shtuar në 60%  dhe këto shërbime deri me 31 mars për të marrë  shërbimin 24 orë” tha ai.

Po ashtu kryeregjistruesi Pjetri theksoi se  “shumë shpejtë do të kemi Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të nis shumë shpejt me bashkimin e tre institucioneve ZRPP, ALUIZNI, Agjencia e Inventarizimit të Pronave Publike. Shumë shpejt do të kalojë ligji në parlament dhe të fillojë puna për ASHK”.

“Besoj se kjo agjencia do të zgjidh problemit me pronat dhe qytetarët do të kenë vetëm një sportel të vetëm për të aplikuar për marrjen e shërbimit të tyre”, shtoi ai.

Duke u fokusuar të platforma e bashkëqeverisjes, Pjetri tha se “ulja e numrit të ankesave është synimi ynë. Kjo platformë e ka ndihmuar shumë mbarëvajtjen e punës tonë në zyrat e ZRPP-së. Ku qytetari ka bashkë qeverisur dhe na ka treguar se kush janë pikat tona të dobëta. Me ardhjen e ankesave, gripi unë prej 20 punonjësish merret me trajtimin e praktikave dhe zyra jonë është e detyruar ligjërisht t’i japë shërbim qytetarit për 10 ditë. Një qytetar nuk duhet të njohë deputetin, as të ketë miq për të marrë shërbimin. Mjafton vetëm një ankesë pranë zyrave të bashkëqeverisjes dhe ne jemi aty për të ofruar shërbimin, dhe nëse konstatohet se ka pas neglizhenca, zyrat tona marrin masa. Për vitin 2018 kemi marrë një sërë masash”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.