Kreu i KLSH, Meta: Kushtetuta më udhëheq në veprimet e mia

TIRANË, 24 Janar /ATSH/ – Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar sot për kandidaturën e Bahri Shaqirit në postin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

“Kushtetuta, interesi kombëtar dhe interesi publik janë të vetmet që më udhëheqin në veprimet e mia dhe në aktet e mia”, i ëhstë përgjigjur ai pyetjes së gazetarëve se mazhoranca thotë se ka shkelje kushtetuese, sepse kandidatura e Shaqirit nuk plotëson një nga kriteret, atë të arsimit të tij në fushën e financave.

Ndërsa lidhur me delegimin e detyrës që Kryeministri Rama i kaloi Gent Cakaj, si ministër i jashtëm, Meta tha se, “nuk kam asnjë koment për organizimet e brendshme të qeverisë apo të pushtetit vendor.

“Unë e kam shumë të qartë si President i Republikës, edhe për shkak të vendimit vizionar të Gjykatës Kushtetuese, se kujt institucioni mund t’i delegoj autoritetin kushtetues për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare në emër të Republikës së Shqipërisë”, theksoi Meta.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.