Komisioni i Jashtëm miraton në parim ndryshimet në ligjin për vetëqeverisjen vendore

TIRANË, 24 janar /ATSH – I. Vata/ – Komisioni për Politikën e Jashtme u mblodh sot nën drejtimin e kryetares Mimi Kodheli dhe shqyrtoi ndryshimet në projektligjin për vetëqeverisjen vendore.

Ndryshimi në këtë projektligj vjen si rezultat i kërkesave për implementimin e dispozitave kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve, qasjen drejt një ndërgjegjeje europiane në drejtim të afirmimit të padiskutueshëm të rëndësisë që ka diaspora në ndërtimin e urave lidhëse me vendin e origjinës, si edhe ndërgjegjësimin për influencën pozitive që ka diaspora në zhvillimin ekonomik, politik e kulturor të vendit të origjinës.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko prezantoi sot në Komisionin për Politikën e Jashtme, ndryshimet në ligjin për vetëqeverisjen vendore.

Hartimi i këtij projektligji është një hap i rëndësishëm në procesin e implementimit të reformës ligjore dhe institucionale për ndërtimin e marrëdhënieve të natyrshme të atdheut me shtetasit e vet, nëpërmjet dhënies së shërbimeve për Diasporën dhe migracionin.

“Procesi i krijimit të infrastrukturës vendore për realizimin e përgjegjësive konkrete dhe përcaktimin e strukturave shtetërore përgjegjëse për marrëdhëniet me Diasporën, është instrumenti kyç në realizimin e angazhimit politik për të mbështetur e përkrahur komunitetin shqiptar jashtë vendit”, tha ministri në fjalën e tij.

Ndërsa relatori i projektligjit, Adnor Shameti tha se ngritja e këtyre zyrave për koordinimin e veprimtarive të diasporës në të gjitha organet e vetëqeverisjes vendore, është e domosdoshme.

“Theksoj që ligji nuk ka asnjë efekt financiar, në kuptimin e efekteve që mund të sjellë, kështu që për sa më sipër ju ftoj ta mbështesim unanimisht”, u shpreh Shameti.

Pas diskutimeve ky projektligj u miratua në parim nga anëtarët e komisionit. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.