Ballina Flash

FOTO/ Shqiptarët mirënjohës Ismail Qemalit

TIRANË, 24 janar/ATSH/- Në nder të 100-vjetorit të vdekjes së Ismail Qemalit, kryeministrit të parë shqiptar dhe njeriut që shpalli pavarësinë e Shqipërisë, në qytetin e Vlorës u zhvillua një ceremoni përkujtimore.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm kryetari i kuvendit, Gramoz Ruçi, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, Nedin Vlora, përfaqësues i familjes së Ismail Qemalit, deputetë, veteranë, qytetarë, nxënës, etj.

Ata zhvilluan homazhe dhe vendosën kurora me lule në varrin e atit të Pavarësisë shqiptare, në Sheshin e Flamurit në Vlorë.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti në fjalën e saj në emër të kryeministrit Edi Rama theksoi se “janë të shumtë liderët që udhëheqin, por shumë të rrallë ata që shkruajnë historinë. Dhe ende më të rrallë ata që si Ismail Qemali, e përmbysin historinë për ta rishkruar”.

“Qeveria e Vlorës zëvendësoi Kanunin me ligjet e shtetit. Ismail Qemali ishte promotori i parë i parimit se organet shtetërore nuk mund të ndërhyjnë në fushën e drejtësisë. Qeveria e Vlorës ishte e para që kuptoi se pa ndriçimin e mendjes, pa dije e kulturë nuk mund të kishte Shqipëri të përparuar dhe të begatë”, nënvizoi Margariti.

Margariti shtoi se “sot nuk mund të jetë kurrsesi dita në të cilën kujtojmë 100-vjetorin e vdekjes, por “dita që kujtojmë shekullin me të cilin Ismaili ka qenë përditë një vegim frymëzues brenda nesh”.

Në një ditë të rëndësishme të Vlorës, Margariti uroi: “Zoti i shqiptarëve qoftë me të e të gjithë ata që kur e nderojnë atë mendojnë si ai, besojnë si ai dhe janë gati të veprojnë si ai!”

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, u shpreh se “duke u bërë bashkë sot këtu i tregojmë të gjithëve që historia moderne e këtij shteti filloi këtu në Vlorë me mbështetjen e një burri të madh të një personaliteti të shquar figura e të cilit ka bërë që të kenë zili shumë të tjerë. Përreth nesh, mënyra me të cilën ai bëri shqiptarët bashkë është nga ato të rrallat që meriton të vlerësohet dhe të kujtohet”.

“Sot hapim siparin me këtë përkujtimore të aktiviteteve që do të përkujtohen në 100-vjetorin e vdekjes së këtij burri të madh që themeloi historinë moderne të shtetit shqiptar”, theksoi Leli.

Përfaqësuesit e lartë të shtetit dhe qeverisë vizituan edhe Muzeun “Pavarësia” ku u njohën me dokumente të rëndësishme të periudhës së qeverisë së pavarësisë.

Në librin e përshtypjeve të Muzeut, Ruçi la këtë shënim: “Nderim Ismail Qemalit, themeluesit të shtetit të pavarur shqiptar! Ismail Qemali është i përjetshëm sepse e përjetshme është Shqipëria!”

“Tre janë momentet vendimtare që shpëtuan Shqipërinë”, – deklaroi para gazetarëve Kryetari i Kuvendit, Ruçi, “shpallja e Pavarësisë nga plaku i Vlorës dhe i gjithë Shqipërisë, Ismail Qemali, themeloi shtetin e pavarur shqiptar; Kongresi i Lushnjës, i cili vitin që vjen mbush  një shekull, ndërtoi arkitekturën e shtetit shqiptar, rilindi ndërgjegjen politike dhe sanksionoi Shqipërinë parlamentare; Lufta e Vlorës shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi  dhe u preu rrugën orekseve ekspansioniste të fqinjëve për gllabërimin e trojeve të saj. Dy nga këto tre ngjarje ndodhën në Vlorë dhe për këtë të gjithë shqiptarët i janë mirënjohës.”

Ismail Qemali është kryeministri dhe kryetari i parë në historinë e shtetit shqiptar. Ai qëndroi në krye të qeverisë nga data 28 Nëntor e vitit 1912, deri në 22 janar 1914 për 12 muaj e 56 ditë.

/k.s/ /gj.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.