“Siguria e digave”, miratohet marrëveshja me BERZH

TIRANË, 23 janar /ATSH/ – Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi sot projektligjin “Për ratifikimin letër marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), për financimin shtesë të projektit “Siguria e digave”, të ratifikuar me ligjin nr. 40/2012”.

Në prezantimin e projektligjit, zëvendësministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë, Dorina Çinari theksoi se, siguria e digave është një projekt i madh dhe kërkohet një rialokim fondesh brenda për përbrenda vlerës së investimit pa ndryshuar tavanin, thjesht rialokim nga zëri i asistencës teknike, në një zë që është investime.

“Qëllimi i gjithë projektit është të përforcohet dhe të monitorohet siguria e digave, me qëllimin që të kemi sigurimin me energji elektrike dhe siguri të sistemit elektroenergjetik”, tha ndër të tjera Çinari.

Gjithashtu Komisioni miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes statusore, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, mbi veprimet e ndërmarra nga Agjencia e Rojes Bregdetare dhe Kufirit Europian në Republikën e Shqipërisë”,
Në prezantimin e këtij projektligji, zëvendësministri i Brendshëm, Julian Hodaj tha se, kjo është një marrëveshje e cila fokusohet në statusin e oficerëve të Frontex që do të operojë në Shqipëri dhe do të pasohet nga marrëveshje operacionale, përsa i përket detajeve dhe procedurave të veprimeve në terren.

“Veprimet operacionale që do të kryhen janë gjithmonë në prani ose të shoqëruar nga forcat e policisë shqiptare që janë përgjegjëse për kufirin, për menaxhimin e kufirit”, u shpreh Hodaj.

Relatorja e këtij projektligji, Elona Gjebrea, në fjalën e saj tha se kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme dhe bashkëpunimi operacional ndërmjet Shqipërisë dhe shteteve anëtare të Bashkimit Europian realizohet ndërmjet kësaj marrëveshje.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.