Ruçi në përurimin e Fondacionit Westminster për Demokraci

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi mori pjesë pasditen e sotme në përurimin e Fondacionit Westminster për Demokracinë, mbështetur nga Dhoma e Komuneve e Mbretërisë së Bashkuar.

“Fondacioni ka qenë mbështetje e fuqishme për valën e tretë të demokratizimit në të gjithë planetin, sidomos për kalimin nga tirania në demokraci, nga dhunimi në lartësimin e të drejtave të njeriut; nga mungesa në lulëzimin e konkurrencës elektorale. Fondacioni Uestminstër ka bërë më të mirën për mbjelljen e farës dhe lulëzimin e fryteve të demokracisë, edhe në rajonet e vendet e botës ku uria për to ka qenë e madhe dhe ku padurimi i qytetarëve prej sistemeve totalitare dhe autoritare po sosej”, – tha Ruçi në fjalën përshëndetëse.

“Frytet e këtij kontributi janë ndjerë edhe në rajonin tonë, – vijoi Ruçi, – dhe nga sot e tutje i mirëpresim edhe në Shqipëri”.

“Sot, në qytetërimin perëndimor, demokracia dhe liria janë shkrirë në një të vetme. Por në hapësira të gjera të planetit, në mjaft vende, popuj e shtete, këto shina të demokracisë liberale në shumë raste shtrihen veçmas njera-tjetrës. Demokracia e paplotësuar nga liria mbetet jofunksionale, e paqëndrueshme dhe e rrezikuar nga kthimi mbrapa”, – tha ai.

“Zyra e Fondacionit Uestminstër hapet në Shqipëri në kohën kur jemi të angazhuar në kryerjen e një reforme unike, ndër më të guximshmet në kontinent: Reformës në Drejtësi. Kjo reformë po pastron “hauret e Avgjisë” të sistemit të kalbur të drejtësisë e po rindërton degën gjyqësore të qeverisjes të pavarur, të paanshme, profesionale dhe me integritet. Fondacioni është i mirëpritur të mbështesë Kuvendin, partitë, shoqërinë civile dhe qytetarët në kontributin e tyre në këtë proces”, përfundoi Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.