Dialog të gjerë politik dhe konstruktiv për reformën zgjedhore

TIRANË, 23 janar /ATSH/ – Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka shprehur sot shqetësimin se vonesat për ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor mund të shoqërohen me pasoja të dëmshme.

“Edhe pak muaj na ndajnë nga zgjedhjet e 30 qershorit 2019 të organeve të qeverisjes vendore. Në Kuvendin e Shqipërisë nga mazhoranca parlamentare është paraqitur një draft për disa ndryshime në Kodin Zgjedhor në fuqi, ndërkohë që Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë në takimin me gazetarët, duke ju referuar këtij drafti, u shpreh se ai nuk do të kalojë në procedurat parlamentare pa konsensusin e opozitës”, thekson KSHH.

KSHH i bën thirrje mazhorancës dhe opozitës që të dialogojnë në interes të publikut dhe çdo qytetari, të cilit duhet t’i garantohet e drejta për të zgjedhur në mënyrë të lirë dhe të ndershme.

“Miratimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor kërkon arritjen e shumicës së cilësuar në votim (të paktën 84 vota). Megjithatë, KSHH rithekson se reforma zgjedhore nuk mund dhe nuk duhet të jetë monopol i dy partive më të mëdha. Partitë e vogla parlamentare kanë të drejtë për të paraqitur opinionet dhe kundërshtitë e tyre dhe për t’u përfshirë efektivisht në procesin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor”, thekson KSHH.

KSHH është i ndërgjegjshëm se vullneti politik është mjaft i rëndësishëm, por ai bëhet realisht i tillë kur operon me ligje bashkëkohore. Në rastin konkret vullneti politik duhet të shprehet në radhë të parë nëpërmjet adresimit në Kodin e ri Zgjedhor të Rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe fill pas kësaj në shqetësimin që çdo subjekt mund të ketë për zbatimin rigoroz të ligjit.

“Vonesat në ndryshimin e Kodit Zgjedhor shkaktojnë vështirësi në veprimtarinë e KQZ-së, i cili është organi kryesor për administrimin e zgjedhjeve. Në zgjedhjet e vitit 2017, KQZ toleroi shkeljet e afateve zgjedhore, gjë që ndikoi edhe në qëndrime të diferencuara për zgjidhjen e të njëjtave çështje”, nënvizon KSHH.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.