Zgjerohet me 4 herë trotuari në rrugën “Ibrahim Rugova”, pranë Shallvareve

-Veliaj: Rikuperperojmë për kalimtarët hapësira që më parë ishin zaptuar-

TIRANË, 22 janar/ATSH/ – Pas rehabilitimit të trotuareve në Rrugën e Kavajës, bashkia e Tiranës po vijon punën për zgjerimin e tyre edhe në disa rrugë të tjera të qytetit, për të mundësuar kalimin më lehtë të këmbësorëve, të karrocave të fëmijëve dhe personave me aftësi ndryshe.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet për zgjerimin e trotuareve në “Ibrahim Rugova”, pranë Shallvareve, dhe vlerësoi faktin se edhe ky investim shkon në favor të këmbësorëve dhe personave me aftësi ndryshe.

“Jam shumë i kënaqur nga mënyra se si po rikuperojmë tokë dhe terren, që më përpara ishte vetëm pronë e makinave, të cilat në fakt janë vetëm 20% e popullatës, kurse 80% e njerëzve ecin në këmbë, përdorin biçikletat dhe transportin publik. Ajo që kemi vënë re në të gjitha rrugët ku shtohen hapësirat pedonale ka më shumë biznes, ka më shumë ekonomi, ka më shumë xhiro. E kemi vënë re tek “Myslym Shyri”, e kemi vënë re te Pazari i Ri, te sheshi “Skënderbej”, në çdo rrugë që përshkohet nga një trotuar i mirë ose nga një korsi biçikletash”, tha Veliaj.

Sipas kryebashkiakut, shumë prej trotuareve të zaptuara gjatë viteve ‘90 janë legalizuar dhe hipotekuar, prandaj për zgjerimin e trotuarit përgjatë gjithë segmentit rrugor nga “Myslym Shyri” deri tek ura e Lanës janë përdorur hapësirat që më herët përdoreshin për parkimin e makinave.

Veliaj shtoi se projekti i radhës është ndërhyrja në parkun “Rinia”, i cili do t’i nënshtrohet një ndërhyrje totale nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, për ta transformuar edhe këtë hapësirë në një mundësi më shumë për argëtim për fëmijët dhe të rriturit.

“Në parkun Rinia do të bëjmë një sistemim total. Jam i ndërgjegjshëm se është një park shumë i frekuentuar, por ka nevojë të vihet dorë. Me të njëjtën mënyrë siç kemi vënë dorë tek liqeni dhe kemi transformuar gjithë hapësirën atje, ashtu do të transformojmë edhe parkun “Rinia”, deklaroi kryebashkiaku.

Ai ftoi qytetarët të jenë bashkëpunues me bashkinë, jo vetëm për të mirëmbajtur investimet, por edhe për të sugjeruar ndërhyrjet e radhës që mund të bëhen në zona të ndryshme të Tiranës.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se bashkia e Tiranës prej disa muajsh ka nisur projektin për të përshtatur të gjitha trotuaret dhe rrugët për kalimin e karrocave të fëmijëve dhe personave me aftësi ndryshe, duke mundësuar kështu një qytet për të gjithë.

Sipas kryebashkiakut, këto lloj investimesh jo vetëm u vijnë në ndihmë qytetarëve, por i nxisin ata të përdorin mënyra alternative për të lëvizur dhe jo detyrimisht makinën.

Me ndërhyrjen e bashkisë trotuari përgjatë rrugës “Ibrahim Rugova” është zgjeruar në 2.5 metra, ndërkohë që është bërë lëvizja e plotë e pusetave shimbledhëse, por edhe ndriçuesve të rrugës. Heqja e mundësisë së parkimit në këtë zonë rikuperohet, sipas bashkisë, me parkingjet që janë ndërtuar dhe janë në plan për t’u ndërtuar në zonën përreth. Ndërkohë, nuk është prekur gjerësia e rrugëve për lëvizjen e makinave. /k.s//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.