Studentët i kërkojnë rektorit Koni të ndërhyjë te Juridiku, mësim normal në universitetet e tjera

TIRANË, 22 janar/ATSH/ – Studentë të Fakultetit të Drejtësisë ju drejtuan sot Rektoratit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni me një kërkesë për të ndërhyrë e zhbllokuar situatën te Juridiku, pasi është i vetmi fakultet ku dyert janë të bllokuara.

Studentët thanë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se i kanë provuar të gjitha mënyrat dhe tashme kjo ka ngelur rruga e vetme. “Kemi ardhur këtu për të takuar rektorin e universitetit të Tiranës, sepse ne kemi ditë që kërkojmë të rifillojë mësimi. Kemi bërë dhe një kërkesë me shkrim të cilën do ta dorëzojmë në rektorat”, u shprehën ata për ATSH.

Me herët në hyrje të Fakultetit të Drejtësisë ndeshëm disa studentë të cilët qëndrojnë aty me orë të tëra me shpresën që mësimi të rifillojë.

“Kemi ditë që vijmë këtu, qëndrojmë nga mëngjesi deri në orën tre. Studentet nga rrethet nuk vijnë në Tiranë, pasi kanë marrë vesh se në Fakultetin e Drejtësisë nuk bëhet mësim”. Ndërkohë që ky student tha se “Pakti për Universitetin” i qeverisë i ka plotësuar kërkesat e studentëve.

Në Universitetin Politeknik të Tiranës sot ka rinisur rregullisht procesi mësimor. Agjencia Telegrafike Shqiptare konstatoi se auditorët ishin të mbushur plot me studentë.

Mësimi po vijon rregullisht edhe në Fakultetin e Ekonomisë.

Ndërkohë qe Qeveria ka bërë publik draftin e Paktit për Universitetin, ku i jepet zgjidhje çdo kërkese të studentëve, me afate kohore të përcaktuara, duke përfshirë edhe problematika që studentët nuk i kishin parashtruar. /o.l/./a.g/

 

/o.l/ /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.