Presidenca rumune e BE-së, Ambasadori: Mbështetje Shqipërisë për anëtarësim

TIRANË, 22 janar /ATSH – I. Vata/ – “Rumania do të mbështes Shqipërinë në procesin e integrimit në BE”, theksoi sot Ambasadori i Rumanisë në Shqipërisë, Mircea Perpelea, me rastin e marrjes së Presidencës rumune të Këshillit të Bashkimit Europian.

Duke folur për sfidat e BE dhe politikat e zgjerimit, në lidhje me Ballkanit Perëndimor, ambasadori rumun Perpelea u shpreh se” kjo është një zonë me interes strategjik për BE, dhe presidenca  rumune do të kushtojë një kujdes të veçantë Ballkanit Perëndimor me synim stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin e kësaj zonë të fqinjësisë së mirë. Ne do të ndjekim progresin e të ardhmes së BE-së duke u bazuar te merita dhe kriteret specifike të secilit vend”.

“Gjatë mandatit tonë në procesin e zgjerimit hapat tonë do të bazohen te raporti vjetor i Komisionit Europian dhe ky raport vjetor do të botohet në pranverë dhe do të tregojë se sa janë përmbushur kriteret dhe kushtet e kandidatëve”, shtoi ai.

Në lidhje me Shqipërinë, Rumania do të vazhdojë të mbështesë në mënyrë aktive të gjithë përpjekjet e partnerëve shqiptarë për anëtarësim të Shqipërisë në BE.

“Presidenca rumune e Këshillit të BE-së, do të kërkojë që t’i kanalizojë këto përpjekje në një drejtim pozitiv, në mënyrë për të avancuar me tej të ardhmen europiane të rajonit dhe të Shqipërisë. Po ashtu, Rumania do të bëjë të gjitha përpjekjet e mundshme që të lehtësojë në qershor 2019 miratimin e vendimit për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë, por dhe të Maqedonisë dhe, për ta arritur këtë rezultat në përputhje me përfundimet e nxjerra nga Këshilli në qershor të vitit 2018, do të kërkohet konsensus nga shtetet anëtare të BE-së”, thekson ambasadori.

Në vijim, ambasadori Perpelea shtoi se “në këtë aspekt kemi inkurajuar partnerët tanë shqiptarë që të vazhdojnë të gjitha përpjekjet për reformat në nivel politik dhe institucional. Në veçanti ne do të inkurajojmë të gjitha palët dhe partitë që të përshpejtojnë reformën zgjedhore pasi kohës po i vjen fundi dhe është pjesë e përparësive dhe prioriteteve që Shqipëria duhet të mbush në lidhje me çështjen e negociatave. Autoritetet rumune vazhdojnë të japin asistencë për Shqipërinë dhe shtetet e tjera për anëtarësimit në BE, pasi procesi është kompleks dhe me shumë sfida, pro besojmë se do jetë një proces i suksesshëm.

Në fjalën e tij, ambasadori Perpelea duke folur nga “shtëpia e Europës”, siç e konsideron ai ambasadën e BE-së në Shqipëri u shpreh se do të prezantojmë sot pikat kryesore të Presidencës rumunë të Këshillit të Bashkimit Europian.

Por më parë falenderoi punën që ka bërë Austria gjatë presidencës së saj.

“Kohezioni, vlerë e përbashkët europiane”

“Presidenca rumune po ndodh në një kohë kur po ndodhin shumë gjëra në Bashkimin Europian. Kur të gjithë kanë nevojë të identifikojnë zgjidhje të mira për sfidat me të cilat po haset BE. Në këtë kontekst presidenca rumune do të ketë një samit më datën 9 maj, dy javë para zgjedhjeve europiane. Ne do ta shikojmë këtë samit si moment kyç për të rritur ndërgjegjësimit te qytetarët, tek brezat e rinj dhe për të përçuar një mesazh të mirë atë të bashkimit në të gjithë territorin e Bashkimit Europian. Në këtë moment konteksti europian, natyrisht do të thotë se duhet të punojmë shumë dhe për kuadrin financiar pas vitit 2020, që do të thotë se kuadri i tanishëm përfundon në 2019, por natyrisht do të kemi dhe zgjedhje në Parlamentin Europian. Presidenca rumune është e bazuar te besimi që vizioni për të ardhmen. Presidenca jonë ka potencialin që të jetë shtysë për të gjitha veprimet e veprimtarit tonë për të konsoliduar BE. Kjo është arsyeja se pse qasja e presidencës rumune e Këshillit të BE-së ka të bëjë me parimin e kohezionit i cili është ilustruar në moton tonë dhe është fjalë kyçe: “Kohezioni, vlerë e përbashkët europiane”, tha ambasadori.

Për ne, shtoi ambasadori se “Bashkimi Europian dhe politikat BE-së duhet të kenë shtyllë kryesore kohezioni, pra të jenë pranë qytetarëve. Nga ky këndvështrim Rumania ka si qëllim të realizojë rezultate të prekshme dhe të maksimizojë përfitimet që sjellë një Bashkim Europian i fortë dhe me kohezion për të gjithë qytetarët e vet. Si trio e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian ne i kemi bashkërenduar punët me Finlandën dhe Kroacinë, por natyrisht falenderojmë Austrinë që na ka orientuar për të pasur vazhdimësi nga njëra presidencë te tjetra në lidhje dhe me axhendën e BE-së”.

Po ashtu, duke folur për parimet kryesore, ambasadori i Rumanisë Perpelea theksoi se “axhenda e punës së Presidencës rumune do të përqendrohen në katër shtylla kryesore të cilat duken qartë në specifikime që janë bërë të qarta dhe me aktivitetet gjatë këtij semestri. Shtylla e parë është Europa e konvergjencës, e dyta një Europë më e sigurt, e treta aktor global dhe e katërta Europa e vlerave të përbashkëta. Për sa i përket Europës së konvergjencës, Presidenca rumune ka si objektiv kryesor ka si qëllim që të arrijë një zhvillim të barabartë për qytetarët europianë duke përmirësuar të gjitha funksionet e ndryshme ose duke trajtuar hendeqe të ndryshme, duke rritur konkurrencën, lëvizshmërinë për synime pune”.

“Për shtyllën e dytë, për një Europë më të sigurt, Presidenca rumune do japë kontributin e saj për të shtjelluar të gjithë ato përgjigje që duhet t’i japë BE një sërë sfidash që kanë të bëjnë me sigurinë që kanë të bëjnë me sigurinë e qytetarëve dhe migrimi i cili do të vazhdoje në Bashkimi Europian dhe synimi ynë është bashkëpunojmë me të gjitha  aspektet e brendshme dhe të jashtme të migrimit. Ne mendojmë se menaxhimi i kufijve të brendshëm dhe të jashtë, lufta kundër radikalizmit, siguria kibernetike dhe përmirësimi i funksionimit të zonës Shengen. Në lidhje me shtyllën tre, synojmë që BE të jetë një autor më i fortë global, duke vënë në dispozicion burimet e duhura, por duke promovuar politikën e zgjerimit”, shtoi ai.

Për politikët e zgjerimit ambasadori Perpelea shtoi se “disa nga veprimet kryesore janë avancimi i politikës së BE për zgjerimin, gjithashtu konsistenca e duhur e të gjitha veprimeve të BE-së në zonën e fqinjësisë së mirë. Për sa i përket pikës së katërt, ajo ka të bëjë me vlerat e përbashkëta dhe Presidenca rumune ka si qëllim të stimulojë solidaritetin dhe kohezionin me anë e politika të ndryshme duke luftuar diskriminimin, duke promovuar shanset e barabarta, si përfshirjen e të rinjve në debate”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.