Operacioni “Vjosa”, Policia parandalon një tentativë për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike

TIRANË, 22 janar /ATSH – I. Vata/ – Policia e Shtetit në bashkëpunim me Guardia di Finanza ka finalizuar me sukses operacioni “Vjosa”, duke parandaluar një tentativë për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike përmes detit drejt Italisë.

Policia e Shtetit shpjegon dinamikën e operacionit i cili nisi rreth orës 03:30 të mëngjes, kur u pikas mjeti lundrues disa milje në det. Policia Kufitare e Vlorës dhe GDF kanë vijuar ndjekjen në det.

Në vijim të operacionit, forcat operacionale të FNSH-së Fier dhe të Policisë lokale Fier e Vlorë kanë organizuar punën duke patrulluar me disa grupe nga toka, megjithë kushtet e vështira të motit. Ndjekja policore detyroi trafikantët të futeshin në grykëderdhjen e lumit. Aty braktisën mjetin lundrues dhe lëndën narkotike në buzë të lumit Vjosë, pranë fshatit Bishan. Duke përfituar nga errësira, të dyshuarit janë larguar në drejtim të pyllit. Forcat e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijojnë ndjekjen për kapjen e tyre.

Si rezultat i operacionit të suksesshëm, Policia sekuestroi 1 mjet lundrues, 2 automjete, një sasi lënde narkotike e dyshuar kanabis, si dhe prova të tjera që ndihmojnë hetimin.

Nën drejtimin e një grupi të posaçëm po vijojnë hetimet intensive për ndalimin e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal dhe përballjen e tyre me drejtësinë. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.