TIRANË, 22 janar /ATSH/ – Katedralja e “Shën Pjetrit Apostull” në qytetin historik të Tivarit është ndërtuar edhe falë bujarisë së diasporës shqiptare.
Gjatë vizitës së Presidentit të Republikës, Ilir Meta në Mal të Zi, ai u shpreh i impresionuar nga puna e jashtëzakonshme e mjeshtrave të arkitekturës, pikturës, skulpturës e punimit të gurit, të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare.
“I impresionuar nga vizita në Katedralen e mrekullueshme të “Shën Pjetrit Apostull” në qytetin historik të Tivarit, ndërtuar edhe falë bujarisë së diasporës sonë dhe punës së jashtëzakonshme të mjeshtrave të arkitekturës, pikturës, skulpturës e punimit të gurit, të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare”, – u shpreh Presidenti Meta.
“Përgëzova Dom Kelmend Spaçin dhe motrën Luljana Marku për përkushtimin ndaj besimtarëve dhe i falënderova për mikpritjen e ngrohtë”, – tha Meta.
Presidenti Meta gjithashtu vizitoi Arkipeshkvinë njëmijëvjeçare të Tivarit.
“Shumë i lumtur të vizitoja Arkipeshkvinë njëmijëvjeçare të Tivarit, ku u prita nga Imzot Rrok Gjonlleshaj, me të cilin biseduam për rëndësinë e jashtëzakonshme dhe universale që luan besimi në shërbim të bashkëjetesës dhe harmonisë sociale”, – u shpreh Presidenti Meta.
Këtu, theksoi ai, “kanë shërbyer shumë kolosë të besimit katolik, në veçanti i madhi Pjetër Bogdani, si dhe përkthyesi i parë i Biblës në gjuhën shqipe, Dom Simon Filipaj”.
/gj.mima/ /a.g/