Historia e familjes Gjaci/ Nga shtëpia pa leje në breg të Lanës, në banesë sociale

TIRANË, 22 janar/ATSH-Z.Tosku/- Familja Gjaci, me origjinë nga Gramshi, është një nga përfitueset e para të banesave sociale që u shpërndanë në vitin 2016.

Historia e tyre nis në vitin 2008 kur shtëpia e tyre u prish pasi klasifikohej ndërtesë pa leje. Familja e madhe me 9 fëmijë ndodhej në vështirësi ekonomike dhe për t’u ardhur në ndihmë, bashkia e Tiranës e drejtuar në atë kohë nga Edi Rama, subvencionoi qiranë e strehimit për ta. Pas 6 vitesh, familja Gjaci përfitoi banesë sociale, një ëndërr për të cilën nuk kishte menduar se mund të realizohej ndonjëherë.

“Ne kemi ardhur në Tiranë në vitin 1998. Bëmë një shtëpi tek materniteti i Ri, tek Lana, pra shtëpi pa leje. E bëmë këtë shtëpi dhe ndenjën 9 vjet aty. Në vitin 2008 shtëpia na u prish dhe ne aplikuam për bonus qiraje. Na e pranuan kërkesën dhe kjo zgjati 6 vjet deri kur morën banesë sociale”, – tha kryefamiljari, Lipi Gjaci për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

“Në momentin e parë që morëm çelësat e shtëpisë, u gëzuan shumë sepse më parë nuk e kishim menduar që do të përfitonim. Kur doli lista dhe ishim të renditur tek fituesit u kënaqëm shumë. Atje ku ishim nuk kishim as pronë dhe as shtëpi, do të vazhdonim të rrinim me qira, sepse shtëpi nuk blinim dot ndërsa këtu paguajmë gjysmën e qirasë që kishim dhe shtëpia është e jona”, – rrëfeu për ATSH-në, nëna e familjes.

Nga ana e tij, drejtori i administrimit të banesave sociale, Rizafat Sopaj shpjegoi se banesat sociale funksionojnë si një kompleks, ku kryhen mirëmbajtje të ambienteve si dhe jepen zgjidhje të problematikave të ndryshme nga ana e qytetarëve. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.