Haradinaj: Kosova t’i intensifikojë përpjekjet për ta unifikuar axhendën për integrim

PRISHTINË, 22 janar /ATSH/ – Kryeministri Ramush Haradinaj sot mori pjesë në takimin e Nivelit të Lartë për Sundim të Ligjit, ku  bëri të ditur se aty është shqyrtuar pako e ligjeve antikorrupsion dhe rastet e shënjestëruara.

“Kosova tashmë është në një fazë ku duhet t’i intensifikojë përpjekjet për ta unifikuar axhendën për integrim dhe jemi në fazën finale të liberalizimit të vizave. Zhvillimi ekonomik, si fokus qeveritar për vitin 2019, është i lidhur ngushtë me sundimin e ligjit dhe ndjekjen e veprave penale që pengojnë këtë zhvillim. Kosova ka hapur dyert për investitorë të huaj dhe ka avancuar në garantimin e sigurisë së kapitalit të tyre. Kemi forcuar Policinë, Prokurorinë dhe Gjykatat, kemi ndryshuar dhe forcuar ligjet që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Haradinaj.

Në fund ai tha se të gjitha këto investime si adresë e kanë shtetin dhe nuk do të lejojnë pengesa korruptive.

Sipas tij, Kosova ka kapacitete dhe guxim për t’u ballafaquar me raste komplekse dhe do të ndërmarrë çdo veprim që askush të mos jetë mbi ligjin. /KosovaPress//e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.