“ArTurbina”, vendtakimi interesant mes publikut dhe aktorëve

TIRANË, 22 janar/ATSH-A.ALLA/ – Jeta artistike dhe kulturore në kryeqytet tashmë po përcillet përherë e më shumë nga publiku artdashës, pasi institucionet kulturore kanë rritur numrin dhe larminë e shfaqjeve.

Skena më e re e artit në kryeqytet “arTurbina” është kthyer, tashmë në vendtakimin më interesant mes publikut dhe aktorëve. Kjo skenë i ofron publikut dhe artistëve kushtet ideale për shfaqje dinjitoze.

Aktorja dhe regjisorja Luli Hoxha në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare u shpreh për skenën e “arTurbinës” se ndihet perfekte në këtë skenë. “Në rolin që unë luaj jam gjithë kohës në ujë dhe nuk është fare e lehtë duke kujtuar dhe skenën nga ne vijmë. Këtu ne jemi në luks”, tha ajo.

“Uji ishte i ngrohtë, salla është e ngrohtë. Kjo është një skenë e cila i është shtuar kryeqytetit pas skenës që do ndërtohet te Teatri i ri Kombëtar. Këto do jenë dy skena mjaft të mira alternative për të punuar”, tha Hoxha.

Aktorja Luli Hoxha gjithashtu dhe regjisore në shfaqjen “Kreditorët”, që rikthehet për publikun gjatë fundjavës në skenën e “arTurbinës”, u shpreh për këtë shfaqje se bëhet fjalë për një nga kryeveprat botërore të autorit August Strindberg. “Për mua është hera e dytë që punoj me këtë autor, ku në qendër të tij janë gjithmonë marrëdhëniet njerëzore, marrëdhëniet sociale dhe shoqërore”, tha ajo.

“Në këtë shfaqje vihet në fokus marrëdhënia burrë-grua dhe konsumimi i kësaj marrëdhënieje. Kjo vepër është shkruar rreth 100 vite më parë dhe vazhdon të jetë aktuale dhe në ditët e sotme. Ne si kast aktorësh e kemi sjellë për publikun këtë vepër duke vënë në fokus të saj idealin e familjes dhe të gruas”, përfundoi aktorja Luli Hoxha. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.