Anulimi i tenderit Thumanë-Kashar, Spiropali: Me ndikim pozitiv social e ekonomik

TIRANË, 22 janar/ATSH/ “Anulimi i procedurës së Partneritetit Publik-Privat për rrugën Thumanë-Kashar nuk ka asnjë pasojë juridike, përkundrazi vendimi ka pasoja të shumta pozitive sociale dhe ekonomike”.

Ministrja e Shtetit për Parlamentin, Elisa Spiropali reagoi sot gjatë një konference për shtyp, pas deklaratës së opozitës mbi ndalimin e procedurës së Partneritetit Publik-Privat për rrugën Thumanë-Kashar dhe kalimin e kësaj hapësire fiskale në dispozicion të Ministrisë së Arsimit në kuadër të Paktit për Universitetin.

“U thanë shumë të pavërteta, u ekspozua edhe një tabelë ku dëshmohej se në buxhet nuk ka fonde për aksin. Ky është një nivel i ulët i luftës politike në një moment kur Pakti për Universitetin duhet të jetë më lartë, jo vetëm nga qeveria por për të gjithë. Keqardhje për opozitën, por po shpjegojmë këtë mekanizëm mbi të cilin ka një deformim të qëllimshëm dhe të pavërteta që hidhen rëndom për konsum”, tha Spiropali.

Ministrja sqaroi se edhe Rruga e Arbrit figuronte në atë tabelë, si rrugë që nuk ka buxhet në 2019. Deri më sot, tha Spiropali, kjo rrugë është ndërtuar me fondet e kompanisë. Këtë vit nis të kontribuojë edhe shteti. Ky është parimi bazë i një PPP-je dhe kjo është arsyeja pse PPP-të nuk janë krime, por mjete të jashtëzakonshme për të bërë të mundur projekte që nuk mund të realizoheshin ndryshe”, tha Spiropali.

Spiropali solli si shembull edhe rrugën Milot-Balldren apo Orikum-Llogora për të cilat nuk ka fonde të parashikuara në buxhetin e 2019, pasi janë parashikuar me PPP.

Këto 2 rrugë, vijoi Spiropali, do të nisin të ndërtohen shumë shpejt sepse procedurat janë përfundimtare dhe do të ndërtohen 100% me fondet e kompanisë, ndërsa shteti do të hyjë me kontributet e veta vit pas vit.

Ministrja e Shtetit për Parlamentin siguroi se “në 3 vjet nga nisja e punimeve, do të kemi Rrugën e Arbrit dhe pagesat për kompaninë do të bëhen në 13 vite”. Rruga e Arbrit, tha ajo, ka qenë premtim i opozitës që nuk e mbajtën kurrë dhe ne do ta realizojmë.

“Opozitarët tanë gabuan rëndë kur thanë se rruga në fjalë nuk kishte asnjë lek. Deri dje thoshin se është një megavjedhje dhe sot se nuk paska asnjë lek për këtë rrugë”, tha Spiropali.

Nga dje, tha ajo, procedura për aksin Thumanë-Kashar është anuluar dhe fondi do të kalojë për Kampusin e ri Universitar si dhe për rregullime të tjera në jetën universitare dhe infrastrukturë.

“Kjo qeveri është edhe fryt i protestës së studentëve dhe do të bëjë për studentët më shumë se të gjitha qeveritë së bashku”, tha ajo.

Spiropali iu përgjigj edhe interesimit të gazetarëve lidhur me deklaratën e djeshme të kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja për propozimin e Presidentit për kreun e KLSH-së. “Deklarata e Manjës është në kuadër të funksionit si kryetar i Komisionit, ne do të shqyrtojmë kandidaturat dhe do të veprojmë vetëm sipas ligjit. Manja ka thënë që ligji përcakton që duhet të ketë eksperiencë financiare, që nuk është parashikuar nga Presidenti kur ka sjellë propozimin e Bahri Shaqirit”, tha ajo. /m.m/ /gj.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.