2018-AKU: Përmirësuam standardet e garantimit të sigurisë ushqimore

133

TIRANË, 22 janar /ATSH/ – Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), si përgjegjës për sigurinë ushqimore është në çdo kohë në terren për identifikimin, kontrollin, evidentimin, ndëshkimin dhe ndalimin e çdo veprimtarie të kundraligjshme.

Referuar shifrave zyrtare gjatë vitit 2018, përmirësimi i standardeve për garantimin e sigurisë ushqimore duke e krahasuar me vitin 2017 ka qenë dukshëm më i lartë.

AKU bën të ditur se, viti 2018, konsiderohet viti i forcimit të kontrollit të ciklit të sigurisë ushqimore në vend.

Gjatë vitit të shkuar, AKU ka kryer 22642 analiza më shumë se në vitin 2017, mbi produktet bimore e shtazore. Në vitin 2018 janë mbyllur 497 aktivitete të cilat nuk garantonin sigurinë ushqimore.

Gjithashtu, janë bërë 1983 paralajmërime më shumë se në vitin 2017, në lidhje me përmirësimin e standardeve të sigurisë ushqimore. Ndërsa sfida për garantimin e sigurisë ushqimore vazhdon.

AKU është përgjegjëse për sigurinë ushqimore, në çdo fushë, në tregje, restorante, produktet e importit apo dhe ato të ambalazhuara.

AKU është në çdo moment në terren për të kontrolluar, identifikuar dhe ndaluar çdo produkt që është në kundërshtim me zbatimin e ligjit. Kur konstatohen në mospërmbushje të standardeve, AKU merr mostra për t’i analizuar në laboratorët e akredituar për sigurinë ushqimore.

7 laboratorë të kontrollit ushqimor janë të shpërndarë në Shqipëri. Në rrethet Shkodër, Tiranë, Durrës, Korçë, Fier, Vlorë e Gjirokastër, laboratorët rajonal kryejnë kontrollin e analizave ushqimore, duke mbuluar të gjithë vendin në garantimin e sigurisë ushqimore.

AKU inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo abuzim me sigurinë ushqimore ose në telefonin 0800 75 75 ose në portalin e bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”. /e.xh//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.