Të rinjtë koncert në 100-vjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit

TIRANË, 21 janar/ATSH/- Këngë, valle, recitime, pjesë teatrore u interpretuan sot nga nxënës të shkollave të mesme të Vlorës kushtuar jetës dhe veprës së Ismail Qemalit, në Pallatin e Kulturës “Labëria” të qytetit bregdetar.

Koncerti i organizuar në kuadër të 100-vjetorit të vdekjes së babait të Kombit, Ismail Qemali, u realizua nga bashkia e Vlorës përmes bashkëpunimit të Qendrës Kulturore të Fëmijëve, Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare dhe Drejtorisë Arsimore Vlorë.

Një veprimtari mbresëlënëse e për t’u marrë shembull ku nxënësit jo vetëm interpretuan krijimtarinë e autorëve vlonjatë kushtuar Ismail Qemalit, por edhe kënduan polifoni, këngë të kënduara nga gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre.

Ata sollën këngët polifonike: “Prapa më vjen historia” e “Në Vlorë foli Prefekti”, kënduar respektivisht nga nxënësit e shkollave “Ali Demi” dhe “Pavarësia”./k.s/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.