PD mbledh Kryesinë, Bardhi: Diskutuam strategjinë e aksionit opozitar

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Kryesia e Partisë Demokratike u mblodh mbrëmjen e së hënës për të përcaktuar hapat e radhës së aksionit opozitar.

Kjo ishte mbledhja e parë e kryesisë së re të Partisë Demokratike.

Në një dalje për mediet, në përfundim të takimit, Sekretari i ri i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi nuk dha asnjë datë mbi protestat e pritshme.

“Sot u mbajt mbledhja e konstituimit të Kryesisë së re, në zbatim të vendimit të Këshillit Kombëtar që ngarkoi Kryesinë me organizimin e protestave popullore me qëllim largimin e Edi Ramës. Diskutuam mbi strategjinë që do të ndjekim, e morëm vendim që nesër në orën 11 të mbledhim Kolegjin e Kryetarëve, një organ i ri statutor, ndërsa pasditen e nesërme do të ketë sërish një mbledhje të Kryesisë mbi detajet dhe strategjinë e protestave”, tha Bardhi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.