Kuvendi rihap punimet, Ruçi apel opozitës: Të miratojmë Reformën Zgjedhore

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Kuvendi i Shqipërisë nisi sot pasdite seancën plenare, duke hapur kështu Sesionin e katërt të Legjislaturës IX. Në sallë, janë të pranishëm edhe deputetët e opozitës.

Në fjalën e nisjes së punimeve, Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi apeloi opozitën të bëhet pjesë e debatit në Parlament, ndërsa kërkoi vullnet për miratimin e reformës zgjedhore.

“Prezenca e opozitës e bën shumë produktive, e bën konfliktuale, por e bën edhe më demokratike sallën e Kuvendit. Të miratojmë ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Zgjedhjet të mos pengojnë finishin tonë drejt Europës. Si ligjvënës t’i përgjigjemi aspiratës europiane të shqiptarëve. Shumica dhe opozita të bashkojnë vullnetin pa kushte”, theksoi Ruçi.

“Është përgjegjësia jonë kushtetuese, politike e kombëtare që zgjedhjet vendore të 30 qershorit të jenë të lira e të ndershme, sipas standardeve të pranuara ndërkombëtarisht. Prandaj, të mbledhim mendjen dhe të miratojmë sa më shpejt ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të trashëguara nga rekomandimet e OSBE-ODIHR-it për tre zgjedhjet e fundit. Zgjedhjet të mos pengojnë finishin drejt Europës, por të bëhen një oportunitet për të treguar sinqeritetin tonë politik proeuropian”, theksoi kreu i Kuvendit.

Ruçi vuri në dukje se gjatë këtij sesioni do të përfundojë plotësimi dhe ngritja e organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë: Gjykata Kushtetuese, SPAK-u,Inspektori i Lartë i Drejtësisë Byroja Kombëtare e Hetimit, Gjykatat e posaçme.

Po ashtu, gjatë këtij sesioni do të përfundojë miratimi  i akteve të paketës së reformës, si Ligji për Magjistraturën, Ligji për Policinë Gjyqësore, Ligji për Shërbimin Përmbarimor Privat, Projektvendimi Për strategjinë e edukimit ligjor të publikut, ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit etj.

“Nuk kemi zgjidhje tjetër, përveçse t’u dedikohemi detyrimeve për të rindërtuar sistemin dhe për tiu përgjigjur aspiratave të shqiptarëve për një drejtësi që bën drejtësi. Reforma në drejtësi nuk është vetëm vetingu, por tre procese paralele: vetingu, ndërtimi i institucioneve të reja; dhe dhënia e drejtësisë me profesionalizëm, paanësi e integritet”, tha Ruçi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.