Infrastruktura e universiteteve, program për bashkëpunim me sipërmarrjen

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama njoftoi nga foltorja e Kuvendit, gjatë seancës së pasdites së sotme, se komponenti i infrastrukturës në Paktin për Universitetin do të formësohet si një program i plotë që do të ofrohet për bashkëpunim me sipërmarrjen.

“Pakti për Universitetin ka komponentin e infrastrukturës dhe ne kemi ngritur grupe të përbashkëta mes ministrive dhe universiteteve sipas fushave, dhe këto grupe do ndërtojnë gjithë projektin për investimet në infrastrukturë dhe këto projekte për investime do bëhen bashkë dhe do jenë një program i qeverisë për infrastrukturën e universiteteve, kampusit e komponentëve të tjerë, program që do e ofrojmë për bashkëpunim me sipërmarrjen”, – tha Kryeministri Rama, duke sqaruar se do të ketë PPP për transformimin e gjithë infrastrukturës universitare dhe sipas mundësive dhe të sistemit parauniversitar.

“Anulimi i tenderit për aksin Thumanë-Kashar nuk do të thotë se paratë janë në buxhet”, sqaroi Kryeministri. Sipas tij, nuk do të ketë PPP për këtë aks, por për transformimin e universiteteve.

“Këta të opozitës janë shumë të shqetësuar për ndërprerjen e procedurave, për Thumanë-Kashar. Bëhet fjalë për një volum të konsiderueshëm parash që kemi vendosur ta kalojmë për universitetin dhe arsimin në përgjithësi. Paratë nuk janë në buxhet”, – tha ai, duke shtuar se opozita njeh të vetmen shkencë, atë të filxhanëve për të parashikuar edhe sa muaj jetë i ka mbetur qeverisë. “Këta nuk vijnë më këtu dhe atje sa të jetë PS e Shqipërisë, me mua ose pa mua”, – tha Rama.

“Protesta e studentëve u tregoi se nuk ekzistojnë si alternativë. Ndaj edhe kur flasin, e çojnë gjuhën tek dhuna, te përplasja, dhe kujtojnë se shqiptarët që kanë arsye të kërkojnë më shumë nga ne, do shpresojnë tek vezët e tyre”, – theksoi Kryeministri Rama.

“Ata nuk e dinë një gjë që njerëzit kuptojnë dhe njerëzit dinë se kujt duhet t’i besojnë dhe jo rastësisht njerëzit do na besojnë ne, pavarësisht të metave e gabimeve, e gjithçkaje që bie ndesh me pritshmëritë e tyre ndaj nesh. Nuk është e mundur gjithçka përnjëherësh, por çka është plotësisht e sigurtë është se ne nuk duhet të merremi me ta. Ne nuk jemi si këta, po kur vijmë këtu, në parlamentin e transformuar në kazan, dukemi si ata”, – tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.