Dje dhe sot, transformimi i ambulancës në Tresh të Lezhës

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Në kuadër të programit për rindërtimin e 300 qendrave shëndetësore deri në fund të këtij mandati qeverisës, ambulanca në Tresh të Lezhës është rindërtuar nga e para.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje të këtij transformimi të jashtëzakonshëm, ndërsa iu përgjigj të gjithë atyre që pretendojnë se nuk ka ndryshim në shëndetësi.

“Mirëmëngjes dhe duke ju rrëfyer se kur thonë që shëndetësia ka shumë probleme, më duket gjëja më normale, po ama kur thonë që s’ka ndryshim e kam të pamundur të mos dyshoj nëse i kanë a jo sytë në ballë, ju uroj një javë të mbarë”, u shpreh Rama.

Për doktor Gjon Lleshin, “është kënaqësi të punosh në këto kushte dhe t’u shërbesh pacientëve”.

Ndryshimi është kolosal, shprehet Dorina Keqi, infermiere në këtë qendër. “Më parë të kapte tmerri kur hyje këtu, sidomos në kohë të keqe ishte e pamundur të punoje normalisht. Sot pacientët ndihen më të sigurt kur hyjnë në ambulancë për të marrë shërbimet”, tha ajo.

Edhe për qytetarët nuk ka asnjë krahasim mes gjendjes në të cilën ndodhej ambulanca 5 muaj më parë dhe kushteve europiane që është sot./m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.