TIRANE, 20 janar/ATSH/- Zëvendësimi i targave të automjeteve, tashmë do të mund të bëhet pa kaluar në kontrollin fizik të automjetit.
Pas një sërë lehtësirash marrë ditët e fundit për qytetarët, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka marrë një tjetër vendim lidhur me zëvendësimin e targave të automjeteve.
Kështu, në rast se qytetarëve u dëmtohet targa e automjetit, ata do të pajisen menjëherë me targën e njëjtë pa ndryshuar as dokumentacionin.
“Tjetër lehtësim: Kur ju dëmtojnë targën mjafton ta ktheni dhe ne do ju pajisim me targën e njëjtë! Nuk ke pse ndërron komplet dokumentacionin, as pse bën më kontroll fizik dhe më e rëndësishmja, paguan vetëm koston e 1 targe, me po ato numra e germa”, bën të ditur Drejtoria e Transportit.
“JO stres! JO angarira dublikatesh. Kursim kohe e lekësh!. Praktika e re në fjalë nuk mundësohet për rastet e humbjes së targës/targave dhe jo për formatet e dala nga prodhimi”, sqaron më tej kjo Drejtori. /a.g/