VIDEO-FOTO/ Mrekullia e natyrës së Divjakës nga kulla panoramike

256

TIRANË, 20 janar/ATSH/- Një peizazh magjepsës, ku harmonizohen bukur dielli, deti dhe pylli mund të shijohen nga kulla e vrojtimit 360 gradë në parkun Kombëtar të Divjakës.

I quajtur “Ballkoni i Divjakës”, aty ke mundësinë të shikosh të gjitha bukuritë e këtij parku, që gjithnjë e më shumë po tërheq rreth vetes turistë të shumtë.

Gjatë ditës së sotme, kur edhe temperaturat kanë pësuar rritje pas reshjeve të dëborës dhe temperaturave të ftohta që përfshinë vendin, Divjaka pati shumë vizitorë.

Një qytetare nga Tirana shprehet se “Divjaka, e parë nga kulla e vrojtimit është një mrekulli”.

Ndërsa disa të rinj, nxitojnë të fiksojnë në telefonat e tyre fotografi nga kjo kullë panoramike, që të lejon të shikosh mbi pishat e larta të parkut edhe pasarelat që gjarpërojnë nëpër park.

Një i ri nga Lushnja që studion në Arabinë Saudite, thotë se “përveç sezonit turistik veror ajo që e bën tërheqëse Divjakën është edhe kulla e vrojtimit 360 gradë, si dhe parku kombëtar. Këtu mund të gjesh shpendë të rrallë, një ndër të cilët është Pelikani Kaçurrel”.

“Edhe pse sa herë vij në Shqipëri e vizitoj shumë herë Divjakën, 10-15 herë në muaj gjithmonë më ka lënë mbresa. Kulla e vrojtimit është një gjë e veçantë që është menduar ndoshta prej kohësh, por realizimi i saj u mundësua në vitin 2018”, thotë ai.

Plazhi, laguna dhe pylli që e rrethon janë tre asetet kryesore të zhvillimit të turizmit në Divjakë, krahas monumenteve të kulturës që ndodhen në zonë.

Bashkia e Divjakës gjatë sezonit turistik ofron një guidë prej 5 km në Parkun e Divjakës, ku vizitorët njihen me gjallesat dhe bimësinë e parkut.

Vrojtimi nga kulla panoramike kur qielli është i kthjellët shkon edhe më thellë deri në Malin e Tomorrit.

Me një kullë panoramike, varka për të shëtitur vijë ujore përgjatë gjithë parkut, pyllin e gjelbëruar dhe me larmishmëri shpendësh janë disa nga aventurat që nuk duhen humbur kur viziton këtë park të rijetësuar.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një zonë e mbrojtur në zonën bregdetare të Shqipërisë, që përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore.

Parku është shpallur si zonë e mbrojtur natyrore për shpendët e ujit, si ligatinë me rëndësi ndërkombëtare sipas Konventës së Ramsarit, që nga viti 1995./k.s/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.