Pakti për Universitetin, përmirësim i kushteve dhe standarde moderne për konviktet e studentëve

TIRANË, 20 janar /ATSH- I. Vata/ – Pakti për Universitetin qartëson edhe ndërhyrjet konkrete në rikonstruksionin e godinave të studentëve dhe përmirësimin e kushteve brenda dhe  jashtë saj duke i sjellë ato në standarde moderne për studentët.

Aktualisht, funksionojnë 8 shoqëri për akomodimin e studentëve (shoqëritë e trajtimit të studentëve), 3 prej të cilave janë në Tiranë dhe 5 të tjera në Vlorë, Shkodër, Elbasan, Gjirokastër dhe Korçë. Në to janë të punësuar 778 punonjës administrativë dhe shërbimesh.

Numri total i studentëve të akomoduar në këto ndërmarrje studentore për vitin 2018 është 7,213 studentë, ose 11% e numrit total të studentëve.

Fondi që MASR ka në dispozicion, për të mbuluar shpenzimet operative për këto ndërmarrje, është 350 milionë lekë në vit, ndërsa pjesa tjetër mbulohet nga të ardhurat e vetë ndërmarrjeve.

Fonde për shpenzime kapitale për rikonstruksionin e tyre nuk janë dhënë asnjëherë nga MASR, për shkak të natyrës ligjore të funksionimit të tyre (organizohen në bazë të ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”). Administrimi financiar i tyre kryhet përmes Këshillave Mbikëqyrës, ku përfaqësues në shumicë janë përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe një përfaqësues nga MASR.

Gjendja financiare dhe e infrastrukturës në konvikte është problematike. Në Pakt evidentohet fakti se mbështetja nga buxheti i shtetit në shumën 350 milionë lekë duhet të rishikohet, pasi është në masë të ulët dhe i referohet çmimeve të përcaktuara me udhëzimin e vitit 2003.

78.2% të shpenzimeve totale të shoqërive e zënë shpenzimet e personelit (paga dhe sigurime shoqërore e shëndetësore), si dhe shpenzimet për energji elektrike dhe ujë; 1.3% të shpenzimeve e zënë pagesat për ruajtjen e ambienteve me polici private; 1% janë pagesat për Këshillat e Administrimit dhe pjesa tjetër për shërbime të tjera.

Gjendja e infrastrukturës është tejet e amortizuar pothuajse në të gjitha ndërtesat në rrethe. Edhe në Tiranë, me përjashtim të ndërtesave ku po ndërhyhet me projektin e KfW-së, financuar nga Qeveria Gjermane, të gjithë ndërtesat e tjera kanë nevojë për rehabilitim, pajisjen me mobilie, shtretër, bazë materiale, dyshekë e çarçafë të rinj. Për shkak të gjendjes së amortizuar të këtyre ndërtesave, aktualisht akomodohen gjithsej 7,213 studentë, ndërsa kapaciteti maksimal i tyre është rreth 14,000 studentë.

Janë parashikuar rreth 300 milionë lekë shtesë për kryerjen e investimeve në infrastrukturën e konvikteve për vitin 2019.

Me investimet e reja, që po kryhen me financimin e KfW, përveç përmirësimit të kushteve të konvikteve, kapaciteti akomodues mund të ulet me 12 mijë studente, ose të rritet në 15 mijë studentë, në varësi të standardeve hapësinore për student që do të përcaktohen.

Nëpërmjet financimit prej 16.8 milionë euro nga Qeveria Gjermane do të mundësohet rehabilitimi i një numri maksimal prej 13 ndërtesash të rezidencave studentore universitare në Tiranë (nga 37 ndërtesa që përllogariten të jenë në total në qytetin e Tiranës, ku 29 ndërtesa janë në QSU1 dhe 8 në QSU2), duke synuar përmirësimin e kushteve të jetesës së rreth 2,900 studentëve.

Nëpërmjet bashkëpunimin me qeverinë gjermane dhe KfW , do të financohet rikonstruksioni total i rezidencave studentore  në një investim total prej 27 milionë euro duke nisur nga mars 2019.

Aktualisht punimet në Qytetin Studenti” kanë nisur dhe janë përfshirë ambientet sanitare, tualete, dushe dhe ambientet e përbashkëta, duke i dhënë kështu zgjidhje një prej kërkesave të ngritura nga studentët. /a.g

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.