Nikolla: Pakti për Universitetin, zgjidhje përtej kërkesave të studentëve brenda këtij viti akademik

TIRANË, 20 janar /ATSH- I. Vata/  Pakti për studentë zgjidh përfundimisht kërkesat e studentëve brenda vitit akademi 2018-2019″, deklaroi sot Këshilltari i Kryeministrit për Arsimin, Albert Nikolla në një intervistë televizive.

Nikolla theksoi se “në vija të përgjithshme drafti i jep përgjigje përmbyllëse pozitive të gjithë kërkesave të studentëve, jo vetëm zgjidh kërkesat e studentëve, siç e ka bërë vetë të ditur Kryeministri përveç këtyre 8 kërkesave bazike që studentët paraqitën, janë edhe disa kërkesa shtesë që Kryeministri i ka menduar se shkojnë në filozofinë themelore që ka të bëjë me Arsimin e Lartë, rritjen e cilësisë së arsimit në Shqipëri dhe zgjidhjen e të gjithë këtyre problematikeve”.

I pyetur nëse drafti zgjidh problemet, Nikolla tha se “drafti paraqet mënyrën për zgjidhje të gjithë kërkesave të studentëve. Drafti nuk mund të jetë zgjidhja direkte, sepse kërkon kohë, por disa nga kërkesat do të zgjidhen brenda vitit akademik 2018-2019, që do të thotë deri në muajin qershor”.

“E vetmja pikë që mund të kërkojë më shumë kohë është ajo që ka të bëjë me rikonstruksionin e konvikteve. Pra të gjithë pikat e tjera janë të zgjidhshme sipas draftit brenda këtij viti akademik”, theksoi Nikolla.

I pyetur nëse zgjidhet situata mes studentëve dhe qeverisë, Nikolla shtoi se patjetër që do të zgjidhet, sepse kryeministri dhe qeveria kanë zgjidhje korrekte, institucionale për sa i përket gjithë kërkesave.

“Kërkesa e parë që ka të bëjë me përgjysmimin e tarifave është marrë vendimi për bachelor përgjysmim të tarifave për të gjithë studentët. Por përveç kësaj studentët, familjet e të cilëve trajtohen me ndihmë ekonomike, jetimët, viktimat e trafikut, etj., përveç përgjysmimit do të marrin dhe bursa 100 mijë lekë të vjetra në muaj. Në vitin e dytë akademik, do të vazhdojë sërish përgjysmimi i tarifave por ata që do të kenë mesataren nën 6 do të paguajnë tarifën e plotë”, argumentoi ai.

Për masterin, Nikolla tha se “është disi ndryshe, pasi nuk mund të ketë ulje tarifash masive, pasi masteri nuk është detyrim kushtetues. Masteri nuk ofrohet në asnjë vend në botë falas. Për masterin përfitojnë vetëm studentët me nota 9-10, ndërsa për të tjerët nuk ka, sepse është stad tjetër studimi”.

Për sa i përket buxhetit dhe transparencës, Nikolla shprehet se drafti paraqet në mënyrë perfekte rrugën se si shkohet te transparenca. Në disa VKM nxjerrë nga Kryeministri dhe dërguar Arsimit të Lartë, del qartë kërkesa për transparencë totale”.

“Si do të bëhet: Të gjitha vendimet e Bordit të Administrimit do të publikohen online në portalet e institucioneve të Arsimit të Lartë”, tha ai.

Për sa i përket kërkesës së studentëve në Bordin Administrimit, Nikolla tha se kjo është pranuar nga pakti.

Ndërsa për rishikimin e titujve akademikë, Nikolla tha se “nuk është qëllim i qeverisë të zbulojë doktoraturat, është rrjedhojë e përmirësimit të cilësisë së Arsimit të Lartë dhe do bëhet në atë formë që të mos kemi më doktoratura plagjiaturë”.

Po ashtu, këshilltari Nikolla shtoi se është një VKM e muajit dhjetor që jep linjat kryesore orientuese dhe puna fillon nga rektori, dekani dhe doktoraturat i çojnë te komisioni në Ministrinë e Arsimit.

Duke folur për stafin e pedagogëve, Nikolla shton se pedagogët në tërësi janë vullnetmirë, por problemi është tek ata pedagogë që kanë pushtet, poste të rëndësishme dhe kërkojnë ta shndërrojnë departamentin në një “pashallëk të kuq”, atëherë këtu lind kontradikta. Se nëse këta pedagogë marrin në punë të afërmit, kushërinjtë, bie cilësia e arsimit”.

Nikolla tha se “greva dhe çdo lloj proteste është gjëja më e bukur që ndodh në botën demokratike, është e shenjtë. Por është e rëndësishme që greva të mos i shërbejë pashallëkut të vogël”.

I pyetur për kërkesën e shtuar të studentëve për Ligjin e Arsimit të Lartë, Nikolla tha se ky ligj është thelbësisht ligj i mirë.

“U krijua ideja se ky ligj ka krijuar probleme, por nëse ka probleme hajde ta zgjidhim. Ligji nuk është hyjnor, por është i hapur për të zgjidhur të gjitha problemet, por nuk mund të shfuqizohet e merr natyrë politike dhe kjo është futur më vonë nga të interesuarit”, theksoi Nikolla.

Përsa i përket ngujimit të studentëve, Nikolla tha se “shumica bën mësim rregullisht. Ngujimi nuk është masiv”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.