Lera për ATSH: Ulje e taksave për bizneset me të ardhura vjetore 14 milionë lekë

141

TIRANË, 20 janar /ATSH/- Pas ndryshimeve fiskale që miratoi qeveria në fund të vitit 2018, nga 1 janari 2019, çdo person juridik, çdo firmë, kompani apo biznes, i cili realizon të ardhura vjetore në shumën 14 milionë lekë, do të paguajë tatimin mbi fitim vetëm 5% të fitimit neto, nga 15% që ishte më parë.

Pra, nëse fiton 100 lekë do të paguajë 5 lekë tatim.

Kështu u shpreh Drejtori i Politikave Fiskale në ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë, Niko Lera, në një intervistë për ATSH-në, ku ndër të tjera shpjegoi se, në Shqipëri ka dy grupe të mëdha taksash; Taksa konsumi ku bëjnë pjesë taksa që paguhen nga qytetarët, siç është tatimi mbi vlerën e shtuar, akciza (pra taksa që i paguan konsumatori dhe jo ai që shet mallin, biznesi) dhe në grupin e dytë; janë taksat apo tatimet direkte të cilat i paguan ai që kryen veprimtari apo është i punësuar, përkatësisht tatimi mbi të ardhurat personale për individë dhe taksat e biznesit, apo taksat mbi fitimin për sipërmarrjen.

“Ne kemi pasur një sistem taksash para ndryshimeve të vitit 2018, ku tatimi mbi fitimin korporativ, pra ai tatimi direkt që paguajnë personat juridik, ka qenë 15%”, tha Lera për ATSH

Gjithashtu, vijoi ai, kemi patur edhe një sistem taksimi për biznesin e vogël apo subjektet me xhiro 0-5 milionë lekë, i cili i taksonte të ardhurat e tyre me 0% dhe për ato biznese që kanë pasur qarkullim 5 deri 8 milionë lekë, taksë 5%.

Por me ndryshimet e fundit ky prag rritet nga 8 milionë lekë në 14 milionë lekë.

Nga 1 janari 2019, mbi 91% e biznesit përfitojnë taksë të reduktuar vetëm 5% tatimin mbi fitim. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.