Bredhi i Sotirës në Gjirokastër, destinacioni turistik i fundjavës

200

TIRANË, 20 Janar / ATSH / – Gjirokastra, këto ditë u përfshi nga reshjet e dëborës që zbritën nga kreshtat e maleve përreth dhe mbuluan kalldrëmet e lashtë.

Veç vështirësive në ngjitjen e rrugëve të pjerrëta e të një ftohti kalimtar, dëbora solli dhe buzëqeshjen e të rinjve pasionantë të lartësive të bardha.

Të organizuar në grupe miqsh e shoqërish, të drejtuar nga alpinistë profesionistë të Gjirokastrës, ata udhëtuan në jug të qytetit, drejt Dropullit të sipërm ku ndodhet dhe  “Bredhi i Sotirës”, një park i bukur natyrorë i ruajtur mirë dhe i mirë-mbajtur.

Synimi i alpinistëve të rinj ishte “Maja e Murganës’, një lartësi 1806 m e mbuluar nga dëbora. Ky peizazh bredhor është një zonë e Mbrojtur e kategorisë 3 ku veç bredhit rriten dhe shumë dru të tjerë malor.

Puna e spikatur e specialistëve të AdZM Gjirokastër, ka bërë të mundur hapjen e shtigjeve në terrenin e thyer malor ku mund të ecin vizitorë apo turistë të huaj.

Shtigjet janë pajisur me tabela orientuese por në gatishmëri në ndihmë të turistëve janë dhe rangersat e kësaj AdZM-je.

Destinacionet turistike në Qarkun Gjirokastër janë të shumta dhe të apasionuarit e bardhësive kanë mundësi të zgjedhin. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.