Zgjedhjet në PD/ Nishani merr drejtimin e Këshillit Kombëtar

TIRANË, 19 janar/ATSH/ Partia Demokratike mblodhi sot Këshillin Kombëtar, ku votoi për zgjedhjen e drejtuesve të rinj në funksionet brenda partisë.

Bujar Nishani u zgjodh kryetar i Këshillit Kombëtar të PD-së, si dhe u konfirmuan si nënkryetarë, Edi Paloka dhe Edmond Spaho.

Kryetari i komisionit të votimit në PD, Jemin Gjana shpalli po ashtu rezultatet e zgjedhjeve të Këshillit Kombëtar demokrat për Sekretariatin.

“U mbyll procesi i numërimit dhe i përllogaritjes së rezultatit të votimit për sekretariatin e partisë. Pra, për sekretarin e Përgjithshëm, Sekretarin e Çështjeve Ligjore, Sekretarin Organizativ, Sekretarin për Çështjet Zgjedhore dhe Sekretarin për Burimet Njerëzore. Në përfundim të numërimit rezulton se nga 355 anëtarë të Këshillit Kombëtar, kanë marrë pjesë në votim 328 anëtarë”, tha Gjana.

Sipas rezultateve të votimit, Sekretari i Përgjithshëm u zgjodh Gazmend Bardhi me 277 vota, kundrejt Dorian Telitit që mori 44 vota.

Sekretar për Çështjet Ligjore u zgjodh Çlirim Gjata me 284 vota, Sekretar Organizativ, Sahit Dollapi me 258 vota, Sekretar për Çështjet Zgjedhore Ivi Kaso me 221 vota dhe Sekretar për Burimet Njerëzore, Ervin Minaroli me 278 vota./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.