Start up-et, nxitje prodhimit vendas dhe produkteve tradicionale

153

TIRANË, 19 janar /ATSH/- Mbështetja e ideve inovative (Start up-eve), si alternativa që  nxisin prodhimin vendas dhe produktet tradicionale, është risia e nismave që po mbështet qeveria përmes skemave kombëtare për bujqësinë.

Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, bëri të ditur se, për nxitjen e Start up-eve nga të rinjtë me moshë 22 deri 35 vjeç, skema kombëtare adresoi një grant deri në 500 mijë lekë për subjekt.

Gjatë vitit të kaluar, skema kombëtare adresoi mbështetje për modernizimin e staneve,  duke financuar deri në 80% të vlerës së investimit, jo më shumë se 200 mijë lekë për subjekt.

Ndërsa për ngritjen e inkubatorëve të prodhimeve tradicionale, u afrua mbështetje me grant deri në 70% të vlerës së investimit, jo më shumë se 15 000 000 lekë për subjekt dhe për ngritjen e rrjetit të dyqaneve me prodhime shqiptare, skema financoi deri në 50% të vlerës së investimit, jo më tepër se 2 000 000 lekë për subjekt.

AZHBR bën të ditur se, këto janë skema që i shërbejnë zhvillimit të bujqësisë tradicionale shqiptare dhe hapin perspektiva të reja në këtë sektor. e.xh//m.m/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.