Shahini: Po shkojmë përtej kërkesave të studentëve

TIRANË, 19 janar/ATSH/ “Qeveria po garanton realizimin e të gjitha kërkesave të studentëve, madje duke shkuar përtej tyre, si psh. rasti i tarifave, që jo vetëm u përgjysmua, por u shkua përtej saj”, deklaroi sot ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini.

E ftuar në një studio televizive, Shahini foli për problematikat që ka sistemi universitar në tërësi.

Ajo tha se “ato janë të trashëguara ndër vite”, duke theksuar faktin se “ato nuk i solli ish- ministrja Nikolla”.

Sa i përket bojkotit, ministrja evidentoi mbledhjen e disa studentëve, të cilët kanë bllokuar sallat duke mos lënë shumicën e studentëve të zhvillojnë mësim.

Megjithatë Shahini u shpreh se, “së shpejti mësimi do të vijojë normalisht, ashtu sikurse po bëhet në pjesën më të madhe të universiteteve”.

Një tjetër problematikë e ngritur në studio ishte plagjiatura e doktoraturave të pedagogëve. Për këtë, ministrja Shahini garantoi se qeveria do bëjë çmos, me aq sa i jep hapësirë ligji, që ky proces të jetë tërësisht i drejtë dhe i rreptë duke ndëshkuar çdo pedagog që ka doktoraturë plagjiaturë.

Madje doktoraturat e gjithësecilit, sipas saj, do të bëhen publike dhe do jenë të dixhitalizuara, kjo fjalë ndërhyrjes së qeverisë./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.