Rehabilitimi i qendrës shëndetësore në Allias, kushte optimale për mjekët dhe qytetarët

TIRANË, 19 janar /ATSH/ – Në qendrat e kujdesit parësor në të gjithë vendin po punohet intensivisht për rehabilitimin e tyre.

Qendra shëndetësore nr 10 në Allias tashmë ka përfunduar riskonstruksionin duke i ofruar qytetarëve kushte të denja për kujdesin shëndetësor.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu u shpreh se, ”rehabilitojmë jo vetëm qendrat shëndetësore në qytet por edhe pikat e ambulancave në periferi, për të garantuar të njëjtin standard të shërbimit shëndetësor për qytetarët”.

”Ja si ka ndryshuar ambulanca 10/1, një prej pikave satelite të qendrës shëndetësore nr.10 në zonën e Alliasit, pjesë e programit të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore”, përfundoi Manastirliu.

Mjekët, infermierët dhe qytetarët që ishin në këtë qendër shëndetësore tashmë me kushte optimale u shprehën mjaft të kënaqur për këtë transformim.

Blerina Sina doktoreshë në qendrën shëndetësore nr 10 u shpreh se ka 6 vite që punon këtu, por tani kushtet e punës kanë ndryshuar goxha.

Një qytetar pranë kësaj qendre u shpreh se më përpara kushtet në këtë qendër nuk kanë qenë fare të mira. “U lumshin duart kush e bëri këtë ndryshim”, tha ai.

Një tjetër qytetare u shpreh se, “ky është një ndryshim mjaft i mirë që nga pamja e ndërtesës dhe për të mos folur për kushtet brenda siç kanë qenë dhe i janë bërë”.

Tefta Çela infermiere në qendrën shëndetësore nr 10 tha se, ”dhoma ku punoja unë ka qenë me lagështirë dhe myk. Tani kushtet janë të shkëlqyera dhe nuk na mungon asgjë”.

Një tjetër qytetare e cila kishte 15 vite që vizitohej në këtë qendër shëndetësore tha se, ”ky është një ndryshim super i mirë”.

Dile Ceka infermiere në këtë qendër u shpreh se në fillim kishte shumë lagështirë. “Tani kjo qendër shkëlqen dhe është në mënyrë perfekte”, tha ajo.

Në kuadër të programit të rikonstruksionit të 300 qendrave shëndetësore në 4 vite, Qeveria shqiptare po investon në përmirësimin e kujdesit parësor jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në ofrimin e shërbimeve shëndetësore pa burokraci për qytetarët përmes programeve të recetës elektronike dhe referimit elektronik. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.