Pakti për Universitetin/ Arkiv dixhital për doktoraturat

172

TIRANË, 19 janar/ATSH/ Krijimi i arkivit dixhital të doktoraturave në Republikës e Shqipërisë pranë Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë është një ndër masat që janë marrë nga qeveria për t’i dhënë përgjigje kërkesës së studentëve për rishikimin e titujve akademikë dhe verifikimin e plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.

Në Paktin për Universitetin bëhet fillimisht një bilanc i situatës aktuale, ku publikohen të dhënat nga viti 2007 deri në vitin 2018.

Konkretisht, në regjistrin e MASR gjenden këto të dhëna në lidhje me gradat shkencore dhe titujt akademikë: 248 “Docent”; 3757 grada shkencore “Doktor” brenda vendit; 546 grada shkencore “Doktor” jashtë vendit; 1038 tituj akademikë “Profesor i Asociuar”; 2 tituj akademikë “Profesor i Asociuar” jashtë vendit; 503 tituj akademikë “Profesor”.

Gjatë verifikimit të kritereve të ligjshmërisë për të gjitha IAL-të në vend është konstatuar se “vetëm në një institucion u gjetën një numër i lartë pedagogësh udhëheqës doktoraturash, nga të cilët një numër i madh nuk plotësonin kriteret ligjore”.

Po ashtu u evidentua “mosrespektimi i standardit të udhëheqjes: 1 profesor jo më shumë se 5 doktorantë, duke kaluar në 1 profesor me 15 doktorantë mesatarisht”. Madje, në një rast, u gjet 1 profesor me 41 doktorantë.

Po ashtu, ndër problematikat e evidentuara është “mosrespektimi i afateve kohore në marrjen e titullit”. “Ka IAL që kanë dhënë doktoratura edhe për tre muaj. Produktet e kërkimit nuk kanë gjetur zbatim në fushat përkatëse. Madje ka tema krejtësisht
jashtë fushave, apo programeve ku janë dhënë. Prej disa vitesh, IAL nuk kanë marrë kuota për ciklin e tretë të studimeve”, thuhet në Paktin për Universitetin.

Në këtë drejtim, Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimi nr. 777, datë 26.12.2018, “Për
kontrollin antiplagjiaturë të disertacioneve për fitimin e gradave shkencore”.

VKM-ja për kontrollin antiplagjiaturë të disertacioneve, ndër të tjera parashikon krijimin e arkivit dixhital të doktoraturave në Republikës e Shqipërisë pranë Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Po ashtu, ministria përgjegjëse për arsimin do të dorëzojë raportet e kontrollit dixhital
antiplagjiaturë pranë IAL-ve respektive. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.