Këshilli Kombëtar i PD-së vendosi nisjen e protestave

TIRANË, 19 janar /ATSH/ Partia Demokratike ka dalë sot me vendimin politik të organizimit të protestave në mbarë vendin. Këshilli Kombëtar i PD-së i cili ka dalë nga mbledhja e sotme, vendosi të ngarkojë strukturat drejtuese të partisë me organizimin e protestave për largimin e kryeministrit Edi Rama.

“Pas bisedimeve që pati opozita menjëherë pas asaj që ndodhi në parlament seancën e fundit, sot Këshillit Kombëtar iu  kërkua të vendosë lidhur me qëndrimin politik që do të mbajë PD. Këshilli ngarkoi strukturat drejtuese të PD-së të merren me organizimin e protestave në mbarë vendin me një qëllim të vetëm: rrëzimin e qeverisë dhe të Edi Ramës.”

Edi Paloka i cili do të vijojë të mbajë postin politik të nënkryetarit të PD-së tha se vendim tjetër politik i Këshillit Kombëtar ishte edhe që si zgjidhje politike pas rrëzimit të qeverisë Rama, të jetë një qeveri tranzitore kalimtare e cila do të merret me realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Kjo duhet të jetë rruga që do të ndjekë PD dhe jam i bindur që do të mbështetet nga gjithë opozita shqiptare në një front të bashkuar”, tha Paloka. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.