FOTO/ Rrënojat e Kishës së Shën Gjergjit mes antikitetit dhe natyrës

TIRANË, 19 janar /ATSH/ – Rrënojat e Kishës së Shën Gjergjit ndodhen në bregun e djathtë të lumit Shushicë, në fshatin Brataj, Selenicë. Kisha ruhet në gjendje rrënojë me mure që arrijnë deri 2-3 m lartësi në pjesën e naosit, ndërsa për narteksin kemi gjurmë fare të pakta në nivelin e tokës. Në brendësi të kishës ndodhen katër pilastra me prerje thuajse katrore.

Ndërmjet tyre dhe mureve anësorë kalojnë harqe gjysmërrethore që mesa duket mbanin mbulesën me qemer. Në qendër duhet të ketë qënë tamburi me kupolën. Në anën lindore, që i takon mjedisit të altarit, është absida gjysmërrethore. Në kishë hyhet nga porta e vetme në anën perëndimore që e lidhte me narteksin. Duke u nisur nga tipologjia dhe nga ndërtimi i mureve të absidës Aleksandër Meksi ka propozuar si periudhë për ndërtimin e saj shek. XIII-XIV.

Në themelin e mureve të kishës janë përdorur blloqe antik, që duhet ta kenë prejardhjen nga ndonjë sit i afërt arkeologjik. Një ekspeditë arkeologjike e vitit 2015 e drejtuar nga arkeologu Skënder Muçaj, nga vëzhgimet sipërfaqësore rreth kishës, zbuloi rrënoja të shumta që mund të identifikohen me një manastir të fortifikuar, me një sipërfaqe rreth 0,7 ha.

Manastiri është ndërtuar në një terren me kuotë më të lartë në raport me territorin përreth. Brenda këtij rrethimi, në qendër të tij është kapela, në jugperëndim dhe perëndim janë rrënojat e konakëve. Kisha e Shën Gjergjit renditet në grupin e kishave njënefëshe të tipit kryq të brendashkruar, me kupolë mbi katër mbështetje të lira dhe me një narteks që ka të ngjarë që të jetë po ashtu i mbuluar me kupolë.

Sipas kësaj analize, materialit arkeologjik të gjetur në terren dhe ngjashmërisë me objekte të tjera kulti në territorin e vendit tonë, “Rrënojat e Kishës së Shën Gjergjit” datohen në shek. X-XI. Të dhënat paraprake arkeologjike e rendisin manastiri e fortifikuar të Shën Gjergjit në Brataj, si më të vjetrin nga manastiret e këtij tipi në territorin e vendit tonë. /a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.