Bibliotekat dixhitale, projekti konkret në Paktin për Universitetin

TIRANË, 19 janar/ ATSH/ – Qeveria ka hapur perspektivën për ngritjen e bibliotekave elektronike në universitete, duke vendosur që Ministria e Arsimit të akordojë një fond të veçantë për Qendrën Ndërinstitucionale të Rrjetit të Akademikëve Shqiptarë që do përgatisë infrastrukturën.

Kështu parashikohet në Paktin për Universitetin, dokumentin e prezantuar nga Kryeministri Edi Rama për dialog gjithëpërfshirës me studentët me qëllim plotësimin e kërkesave të tyre.

Një nga këto kërkesa ishte dhe ndërtimi i bibliotekave dixhitale dhe shërbime online falas për ta në gjuhën shqipe.

”Për këtë pikë ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka kontaktuar me Qendrën Ndërinstitucionale të Rrjetit të Akademikëve Shqiptar për të vlerësuar mundësinë e implementimit të bibliotekave elektronike. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë do t’i akordojë një fond buxhetor të veçantë Qendrës Ndërinstitucionale të Rrjetit të Akademikëve Shqiptar, që ka ngritur grupin teknik për përgatitjen e ToR për infrastrukturën hardware dhe middelware, të nevojshme për ngritjen e bibliotekës dixhitale”, shkruhet në Paktin për Universitetin.

RASH po shqyrton modelet më të përshtatshme për t’u vënë në zbatim, si dhe ka marrë kontakt me ofruesit ndërkombëtar të bibliotekave dhe të arkivave kërkimore në rang global.

Gjithashtu është miratuar urdhri nr 183 më datë 26 dhjetor 2018 i kryeministrit Edi Rama ”Për ngritjen e grupit ndërinstitucional për përzgjedhjen e literaturës së huaj që do përkthehet, me qëllim përdorimin në institucionet e arsimit të lartë. Në zbatim të këtij urdhri do të përmirësohen dhe përditësohen titujt e akademikëve të institucioneve të arsimit të lartë. Afati i realizimit është në muajin qershor 2019. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.