ART – Veprat ikonike të shkollës “Bauhaus”

BERLIN, 19 janar /ATSH-AFP/ – Themeluar 100 vite më parë, shkolla e dizajnit dhe arkitekturës e dëbuar nga Gjermania prej nazistëve, ka përhapur dhe revolucionuar praktikat artistike në të gjithë botën.

Me linja të pastra dhe shpirt revolucionar, shkolla e e artit “Bauhaus”, dora e të cilës shihet sot tek “iPhone” dhe mobiliet “Ikea”, feston 100-vjetorin në Gjermani.

Më poshtë vijojnë disa prej krijimeve më ikonike të dizajnuesve të “Bauhaus” që kanë transformuar mënyrën e të parit të botës:

Qyteti i Bardhë në Tel Aviv

Asnjë qytet në botë nuk ka një koleksion më të madh godinash të këtij lloji se sa Tel Avivi, ku të gjitha ndodhen në Trashëgiminë Kulturore Botërore të UNESCO.

I ideuar në fillim të viteve 1930 nga arkitektët hebrenj gjermanë që ishin arratisur nga Gjermania naziste, më shumë se 4 000 godinat e “White City” simbolizojnë qytetin Izraelit. Por ndryshe nga modelet e ngritura në Gjermani duke iu përshtatur klimës së ftohtë, godinat e Tel Avivit përdorin më pak xham dhe kanë ballkone për të shijuar flladet e Mesdheut dhe për të luftuar kundër nxehtësisë.

Karrigia Breuer

Kjo karrige e ulët është ideuar nga Marcel Breuer në 1926. Ajo në atë kohë u konsiderua si një revolucion për përdorimin e tubave të përthyer të çelikut dhe lëkurës. E quajtur gjithashtu “Wassily”, këtë emër ajo nuk e merr, sikurse mendohet, nga piktori abstrakt rus Vassily Kandinsky, një bashkëpunëtor i “Bauhaus” dhe mik i Breuer, por ishte në vitet 80’ që do të quhet “Karrigia Wassily” për arsye marketingu.

Çajniku Brandt

“Bauhaus” mbante një linjë estetike radikale, por kishte gjithashtu një vizion reformist të shoqërisë në mes të dy luftërave në Gjermani. Kjo shkollë artistike ka qenë një prej të parave që pranoi gra. Nëse Walter Gropius, themeluesi i këtij drejtimi, kërkonte që t’u jepte detyra tradicionale si qëndisja, disa pionere si gjermanja, Marianne Brandt punonin materiale si metali. Ajo punonte forma të thjeshta të përshtatura për prodhimin në seri. Çajniku i saj prej metali në vitin 1924, me një hundëz të vendosur në mënyrë shumë gjeniale për të lehtësuar nxjerrjen e çajit, pati një impakt, sidomos për shkak të gjeometrisë së saj këndore që jep një ndjesi harmonie.

Llampa Wagenfeld

 

Llampa e thjeshtë sferike e bardhë mbi një cilindër dhe një bazament prej qelqi është një shembull perfekt i linjave lisho dhe të pastra që përbëjnë famën e “Bauhaus”. Krijuar në vitin 1924 nga Wilhelm Wagenfeld, kjo kreyvepër është bërë pjesë e shumë zyrave.

Kritikët e kanë akuzuar shpesh herë këtë shkollë të pastërtisë se i është larguar me kalimin e kohës rrënjëve të saj për t’u kthyer në një simbol elitist. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.