13.509 subjekte dorëzuan deklaratën e thjeshtuar për TVSH-në

TIRANË, 19 janar /ATSH/- Rreth 13.509 subjekte që i përkasin fashës 2 deri në 5 milionë lekë, dorëzuan pranë Administratës Tatimore brenda afatit ligjor dhe pa asnjë penalitet deklaratën e thjeshtuar të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

Kjo shifër, përbën rreth 95% të totalit të deklaratave të gjeneruara nga sistemi për tatimpaguesit e vegjël, të cilët kishin detyrimin për të deklaruar dhe paguar TVSH-në për muajin dhjetor.

Administrata Tatimore, në mënyrë të vazhdueshme ka ofruar asistencë për subjektet e biznesit të vogël për plotësimin e librave të shitjes dhe blerjes, si dhe plotësimin e deklaratës së thjeshtuar të TVSH-së.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve inkurajon tatimpaguesit për përmbushjen me korrektësi të detyrimeve tatimore. e.xh//m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.