Veseli: Rusia është duke shkuar drejt njohjes së Kosovës

PRISHTINË, 18 janar /ATSH/ Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke komentuar vizitën e presidentit të Rusisë Vladimir Putin në Serbi, ka thënë se Rusia është duke shkuar drejt njohjes së Republikës së Kosovës. I pyetur rreth deklaratave të Presidentit serb Aleksandër Vuçiç, se nuk do të merret asnjë vendim pa marrë një sinjal nga Rusia, Veseli tha se Serbia po pretendon të jetë mirë me partnerët e Kosovës, por po i hap dyert Rusisë.

“Ne jemi me Amerikën, me Perëndimorët, fqinji jonë në pjesën veriore po pretendon me qenë mirë me partnerët tanë, por po i hap dyert Rusisë. Sido që të jetë, në vizitën e Putinit në Serbi pas takimit me Presidentin e Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, vini vëmendje këtij fakti janë të njëjtat mesazhe të cilat ia kanë thënë edhe presidentit tonë, të cilat janë thënë në Serbi. Kjo është hera e parë, do të thotë se Rusia është duke shkuar drejt njohjes së Republikës së Kosovës. Kosova do të jetë në organizatën e Kombeve të Bashkuara në vitin 2019 po shpresojmë shumë dhe jemi duke punuar”, u shpreh Veseli. /KosovaPress/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.