Ruçi: Ky sesion, i çeljes së negociatave, zgjedhjeve të lira dhe reformës në drejtësisë

TIRANË, 18 janar /ATSH – I. Vata/ – Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, zhvilloi sot një bashkëbisedim me gazetarët mbi analizën e sesionit të kaluar dhe prioritetet e sesionit të ri parlamentar.

Ai theksoi se ky sesion i ri parlamentar do jetë jetë sesioni i çeljes së negociatave më BE.

Si arritjen më të madhe të sesionit të kaluar, Ruçi nënvizoi mbështetjen e reformës në drejtësi. “Kuvendi miratoi tre ligje të reformës dhe institucionet e reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë po ngrihen, disa po plotësohen, një pjesë e tyre kanë filluar të funksionojnë. Vetingu po vazhdon dhe Kuvendi ndjek ecurinë e këtij procesi, për shkak të detyrimeve për ngritjen e organeve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, tha Kryeparlamentari.

“Fakti që u konfirmuan vetëm 48% e subjekteve, provon nevojën substanciale të rindërtimit të sistemit të drejtësisë”, vuri në dukje Ruçi.

Po ashtu, Ruçi nënvizoi se sesioni i ri parlamentar do t’u kushtohet tri prioriteteve, të cilat përbëjnë sfidat themelore në gjashtë muajt e ardhshëm, negociatat me BE, reforma zgjedhore dhe kompletimi i organeve të drejtësisë.

“Ky sesion duhet dhe do të jetë sesioni i çeljes së negociatave dhe Kuvendi do të realizojë të gjitha objektivat për integrimin europian dhe do të nxis e kontrolloj qeverinë të përmbushë detyrat për çeljen e negociatave në qershor të këtij viti. Do të jetë sesioni i zhvillimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme në 30 qershor dhe Kuvendi do të marrë të gjitha përgjegjësitë për votimin e reformës zgjedhore dhe garantimin e standardeve të zgjedhjeve vendore. Do të jetë sesioni i kompletimit të organeve të sistemit të drejtësisë dhe Kuvendi do të krijojë të gjitha kushtet e marrë të gjitha masat për ngritjen e plotësimin në kohë të Gjykatës Kushtetuese, SPAK-UT, Byrosë Kombëtare të Hetimit, Gjykatave të posaçme dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Ne do të punojmë që këto sfida të realizohen në mënyrë komplementare dhe të përshpejtojnë njëra-tjetrën”, përfundoi, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.