“Pakti për Universitetin”, dokument i hapur për dialog

TIRANË, 18 janar/ATSH-A. Fortuzi/ – Qeveria e drejtuar nga Kryeministri Edi Rama është një qeveri e hapur për dialog me studentët, që “Pakti për Universitetin” të realizojë jo vetëm tetë pikat, por edhe më shumë.

Gjatë një interviste televizive, deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi mbrëmjen e të premtes deklaroi se “Pakti për Universitetin” është një dokument i hapur për dialog. Ajo tha se “Pakti për Universitetin” realizon jo vetëm tetë pikat e kërkuara nga studentët, por shkon edhe më tej.

“Ky pakt që u prezantua dhe u bë publik nuk është një dokument përfundimtar, por një dokument, një draft fillestar. Qëllimi ynë është të vendosim një dialog me të gjithë aktorët e interesuar, duke nisur nga pedagogët, studentët dhe që nga ky moment të gjithë munden të japin mendime dhe sugjerime, pasi në pakt nuk është gjithçka e pandryshueshme, por mund të punohet dhe pikërisht ky dialog që kemi vendosur me universitetet do të na ndihmojë të arrijmë ta realizojmë”, – tha Kushi.

Ajo foli edhe për konviktet, ku sipas deputetes po bëhen investime të mëdha. “Në këtë aspekt po punohet në dy drejtime: nga njëra anë nga financimi i buxhetit të shtetit, dhe nga ana tjetër me financime të huaja, me marrëveshje kryesisht me qeverinë gjermane. Nga Buxheti i Shtetit për vitin 2019 kemi një shtesë prej 300 milionë lekë për rikonstruksionin e godinave dhe po ashtu kemi nga bashkëpunimi me qeverinë gjermane një shumë prej 16.8 milionë eurosh, ku përfshihet rehabilitimi i 13 godinave”, – tha Kushi, e cila njoftoi edhe për një marrëveshje të re me qeverinë gjermane, ku pritet të alokohet një fond prej 27 milionë eurosh, që do të shkojë për rehabilitimin e konvikteve. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.