Manastirliu: Punësim i studentëve ekselentë, praktika dhe financimi i kërkimit shkencor

TIRANË, 18 janar /ATSH- I. Vata/ – Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se pakti i Ministrisë së Shëndetësisë me studentët, ka në thelb bashkëpunimin për punësimin e studentëve ekselentë, financimin e kërkimit shkencor, punësimin e mjekëve që alokohen aty ku ka nevojë vendi si dhe dhënia e pikëve bonus për infermierët në vlerësimin profesional.

Në prezantimin e Paktit për Universitetin, ministrja tha se ky pakt do të sigurojë tashmë një lidhje të konsoliduar mes fakulteteve dhe institucioneve respektive, sipas fushave specifike.

Qeveria ka vendosur që çdo ministri të marrë përsipër të patronazhojë një fakultet, duke ndihmuar në trajtimin e problematikave por edhe në rritjen profesionale të studentëve, përmes aksesit në praktika pune dhe shanse të barabarta punësimi”.

Manastirliu foli gjatë prezantimit të paktit për studentët e infermierisë dhe mjekësisë, si dhe nevojës së tyre kryesore, mundësimi i praktikave klinike.

Ajo theksoi se do të forcohen më tej praktikat më të mira të rekrutimit me bazë meritokracinë, duke dhënë lajmin e mirë se do të ketë 10 pikë bonus në vlerësimin profesional për të gjithë infermierët që vijnë nga shkolla me rezultate të larta.

Po ashtu, Manastirliu tha se “programi i partneriteti që ka filluar për paktin e universitetit do të japë një sinergji, një ridimensionim gjithë atij partneriteti që nuk do të jetë më partneriteti klasik mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe pedagogëve, por do jetë si një energji mes studentëve, pasi ata do të kenë të drejtën e fjalë të drejtën e vendimmarrjes në të gjitha proceset që në vitin e parë dhe deri në përfundim të specializimit për të gjithë ata studentë që kryejnë këtë cikël studimesh.

Një pikë e rëndësishme është praktika mësimore, tha Manastirliu duke u shprehur se “ne kemi vendosur së bashku në shumë takime dhe tryeza, pasi i gjithë procesi i mësimdhënies nga pikëpamja praktikes klinike  realizohet pranë spitaleve tona, ndaj ky proces është i nisur, ne kemi bërë takimet paraprake, por ajo çfarë kërkohet për të patur një ridimensionim të partneritetit është padyshim pjesëmarrja aktive e studentëve. Në fakt kemi përcaktuar ato çfarë janë heshtjet kryesore dhe problematikat kyçe që lidhen direkt me praktikën klinike, lidhen direk me investimet në procesin e mësimdhënies, lidhen direkt me punësimin, me financimin e kërkimin shkencor, që është një nga elementët kyç që ndikon në kujdesin shëndetësor”.

“Në punësim, lidhur me praktikën profesionale, praktikën administrative me intershipet  brenda strukturave tona, me një vendosje më të qartë të mentorizimit të studentëve ku do të kryejnë këto praktika dhe në vijim të kenë mundësinë që të shpalosin të gjithë dijet e marra brenda shërbimit shëndetësor”, tha ministrja.

Gjithashtu Manastirliu tha se “një ndër elementet e tjerë është kërkimi shkencor i cili do të vijojë dhe do të mbetet një prioritet në kuadër të kontributeve”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.