Burg i përjetshëm për Fadil Kasemin, vrau ish-bashkëshorten gjyqtaren Fildez Hafizi

TIRANË, 18 janar/ATSH-A. Fortuzi/ – Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar me burgim të përjetshëm Fadil Kasemin, autorin e vrasjes së gjyqtares Fildeze Hafizi, që ishte dhe ish-bashkëshortja e autorit.

Ngjarja e ndodhur në gusht të vitit 2017, u gjykua nga Krimet e Rënda dhe prokuroria kërkoi burgim të përjetshëm për autorin, që u akuzua për tri vepra penale: “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, “Rrëmbim personi” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Në datë 31 gusht të vitit të vitit 2017, rreth orës 13:50, në rrugën “Xhanfize Keko”, Tiranë. Në kohën që Fildeze Hafizi, banuese në Tiranë, njëkohësisht me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, ka dalë nga një parukeri dhe është futur brenda në automjetin e saj të parkuar aty pranë, është afruar ish-bashkëshorti i saj, shtetasi Fadil Kasemi, me një pistoletë në dorë dhe ka qëlluar me armë në drejtim të shtetases Fildeze Hafizi, duke e lënë të vdekur në vend.

Avokati i autorit, Ilia Ilia, ka lexuar konkluzionet përfundimtare përballë treshes së Krimeve të Rënda, ndërsa në fund kërkoi nga gjykata një dënim të vetëm me 25 vite burg. “Kërkoj nga gjykata të shmangen emocionet dhe të jepni vendim të bazuar në fakte. Kërkojmë dënimin përfundimtar të tij me 25 vite burg”, tha avokati. Gjithashtu, mbrojtja pretendoi edhe rrëzimin e akuzës së rrëmbimit të personit.

Trupi gjykuesi i drejtuar nga gjyqtarja Miliana Muça, pasi u tërhoq në dhomë këshillimi, e gjeti fajtor Kasemin për tri veprat penale: “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, “Rrëmbim personi” dhe “Armëmbajtje pa leje”, duke dënuar me një dënim të vetëm, burgim të përjetshëm.

Prokuroria për Krime të Rënda kishte kërkuar nga Gjykata shpalljen fajtor të Fadil Kasemit me një dënim të vetëm, burgim i përjetshëm. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.