Zv/kryeministri Erjon Braçe merr zyrtarisht detyrën

TIRANË, 17 janar /ATSH- I. Vata/ – Në ambientet e Kryeministrisë u zhvillua sot pasdite ceremonia e kalimit të detyrës nga zv/kryeministrja Senida Mesi tek zv/kryeministri i ri Erjon Braçe.

Në fjalën e saj Mesi tha se detyra ishte një përgjegjësi shumë e madhe. “Mirënjohje që pata mundësi të ofroj shërbime më të mira për qytetarët, për një administratë të depolitizuar dhe profesionale, për një administratë dhe shërbime më transparente, për fuqizimin e vajzave dhe grave, për zhvillimin e qëndrueshëm, duke shpresuar që kemi lënë një gjurmë drejt rrugëtimit europian të Shqipërisë”, tha ajo.

“Falënderoj të gjithë stafin që punoi për të realizuar dy reforma të rëndësishme, siç ishte Reforma e Shërbimeve Publike si dhe Reforma e Administratës Publike dhe dorëzimin e stafetës te zv/kryeministri i ri Erjon Braçe”, tha ajo.

Duke bërë një analizë për punën e saj, Mesi tha se rreth 1500 punonjës të administratës publike kanë qenë të trajnuar për herë të parë në lidhje me linjën e parë të kryerjes së shërbimit, kujdesit ndaj klientit dhe qytetarëve, dhe sigurisht etikën për të shërbyer. 110 drejtues të lartë kanë marrë për herë të parë trajnim të lidershipit. 18 institucione të varësisë së institucioneve të ndryshme që ne i kemi kategorizuar si shërbimofruese kanë qenë në fokus të reformës në shërbimet publike me të cilat kemi punuar shumë ngushtë me rregullimin e proceseve të brendshme, trajnimin e stafit dhe përmirësimin e infrastrukturës. Aprovimi i kartës së qytetarit, e cila u aprovua në fundin e vitit 2018 dhe besoj se në stafetë, Erjoni do të vazhdojë lançimin e kartës së qytetarit, e cila është karta ku qytetarët gjejnë të drejtat e tyre në lidhje me pretendimet që ata duhet të kenë për të marrë shërbime administrative nga çdo pikë periferike apo qendrore e administratës publike. 80% ishte niveli i reduktimit të dokumentacionit në lidhje me procesin e derregullimit. Hartuam pesë paketa për të thjeshtësuar marrjen e shërbimeve, sikurse ishte paketa e lindjes. Në linjë me këto shërbime është dhe paketa e migrimit”.

Kur flasim për qëndrueshmëri, shumë e rëndësishme është zhvillimi i qëndrueshëm në kuadër të axhendës 2030, Mesi tha se “kemi ratifikuar marrëveshjen dhe Shqipëria për herë të parë prezantoi raportin e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm vitin e kaluar, ku Shqipëri doli si promotore e kësaj nisme, por me afate të përcaktuara për të vazhduar më tutje”.

Duke folur për luftën kundër korrupsionit, Mesi tha se është bërë shumë dhe beson se Erjoni do ta ketë në fokus duke e thelluar këtë reformë.

“Besoj se ka ardhur koha që të gjithë këto elementë të kenë në fokus sipërmarrësin, qytetarin”, – përfundoi Mesi.

Zv/kryeministri i ri, Erjon Braçe tha se e kishte të vështirë të fliste nga kjo anë e bulevardit, pasi kishte 23 vjet që fliste nga ana tjetër, e me këtë nuk kishte parasysh vetëm Parlamentin, por meqë jemi në janar, kishte parasysh edhe aktivitetin kur ishin në opozitë.

“Në këtë janar ka pasur një fushatë që ka ndryshuar në 10 ditët e fundit. Mjafton të kujtoj faktin se aty jashtë ka njerëz të zakonshëm të cilët janë larguar nga ky vend për të kërkuar një jetë më të mirë. Njerëz që u përballën apo përballen me regjime politike, siç ishte tetë vite më parë, por dhe me regjime administrative të cilat shpeshherë u plasin buzën, dhe shpeshherë edhe i grabisin. Pikërisht atyre njerëzve duhet t’u kthejmë vëmendjen”, – shtoi ai.

Po ashtu Braçe tha se “jam i lumtur të them se ndryshe nga kolegët tanë në 2013 në raport midis politikës dhe qytetarit, midis qeverisë dhe qytetarit, nuk gjej një buxhet të shkatërruar, nuk gjej borxhe mal, nuk gjej një marrëdhënie thuajse të vrarë besimi midis qytetarit e qeverisë dhe qytetarit e politikës. Përkundrazi, ajo që ka bërë më herët Niko Peleshi, ajo që ka bërë Senida Mesi është një punë e shkëlqyer. Kanë hedhur baza të shëndosha dhe që duhet dhënë shtysa që të gjithë qytetarët të marrin atë që u takon nga shteti, të marrin mbrapsht çdo gjë që ja jep shtetit në respektim të ligjit”.

“Senida ka çuar para një axhendë në aspekt të shërbimit, por duhet bërë akoma më shumë dhe duhet çuar para e gjithë reforma administrative që ne ndërmorëm, si një nga pikat themelore të suksesit të Kryeministrit Edi Rama, të qeverisë së PS në mandatin e shkuar dhe shërbimet të shkojnë te qytetari”, shtoi ai.

Braçe tha se kemi shumë për të bërë në drejtim të administratës publike, për ata që nuk e ndjejnë ritmin e qeverisë në shërbim të qytetarit.

“Kush kërkon të punojë me ne duhet t’i përgjigjet ritmit të punës tonë dhe duhet të ketë objektiva të matshme për punën. Çdo zyrë duhet të justifikojë shpenzimet që qytetarët paguajnë për to, kudo në fshat, qytet, në pushtet qendror dhe mbi të gjitha në pushtet vendor. Ky mesazh mos t’u shkojë vetëm atyre të PS-së, por dhe të opozitës, në aspektin e shërbimit të qytetarit. Ne vazhdojmë të kemi bindjen se si qeverisje qendrore kemi kapacitetet për të bashkëpunuar me qeverisjen vendore. Gjithë puna që është bërë me administratën do të shkojë më tutje, të gjithë e kanë një shans për të provuar veten, qoftë ky drejtor i përgjithshëm, qoftë drejtor agjencie, qofshin specialist. Kemi detyrimin të justifikojmë çdo qindarkë të qytetarëve shqiptarë, paguar për ne politikanët, paguar për çdo administrator apo specialist shërbimesh. Para kontributit të qytetarëve nuk vlen kurrkush”, tha zv/kryeministri i ri Erjon Braçe.

Duke folur për lirin e tregut, dhe transparencën Braçe tha se “kemi arritje në aspektin e lirisë ekonomike e garës dhe konkurrencës në këtë vend, por pa më të voglin dyshim do e çojmë para duke forcuar ligjin, duke forcuar transparencën garën dhe konkurrencën. Do hapemi përkundrejt çdo operatori ekonomik dhe do ndëshkojmë cilindo që fut duart për të sulmuar këto katër parime të rëndësishme. Është e rëndësishme që njerëzit të ndihen të barabartë kur duan të bëjnë ekonomi. Kemi bërë hapa kolosalë në sistemin fiskal në politika që i kanë ardhur në ndihmë biznesit të vogël, kemi përgjysmuat taksën për ta. Sot paguajnë nga zero deri në 5%. Natyrisht kemi bërë një hap të madh edhe për biznesin e madh pasi kemi lehtësuar procedurat dhe duhet të garantojmë garën dhe konkurrencën e lirë”.

Gjithashtu Braçe theksoi se po mbyllim përfundimisht problemet e akumuluara në 28 vite për arsimin.

“Jemi në rrugë e sipër për të zgjidhur përfundimisht një pjesë të problemeve 28-vjeçare të arsimit në Shqipëri. E kuptoj dhe marr përgjegjësitë e mia në raport me gjithçka që lidhet me Arsimin e Lartë dhe situatën e studentëve. Dua të çoj një mesazh të thjeshtë për këdo. E mendon të thjeshtë, e mendon të lehtë mbledhjen e karrigeve dhe aseteve të tjera të universiteteve për të bllokuar dyert. Nuk ka qenë kurrë në ADN e studentit mbyllja, izolimi. Por pa asnjë lloj diskutimi hapja, komunikimi, dialogu dhe marrja e çdo gjëje të mirë prej universitetit ka qenë në ADN e tyre”, – tha ai.

Në vijim, Braçe shtoi se qeveria zhduku korrupsionin në sistemin e pranimeve në shkollat e larta.”Kjo qeveri zhduku universitetet banale të një historie kriminale të një qeverie të mëparshme, që luftoi arsimin publik dhe e konkurroi në mënyrë të pandershme dhe të turpshme me diploma që lëshoheshin për njerëz që nuk u ulën kurrë në bankat e shkollave”, – theksoi Braçe.

Askush tjetër tjetër nuk bëri siç po bën qeveria me uljen e tarifave në universitete, tha Braçe. “Nesër, pasi ne të bëjmë publik Paktin për Universitetin, besoj se do u jemi gjendur 95-99% të studentëve të këtij vendi në planin ekonomik, profesional, akademik, vlerësimin e meritës, dhe në fund dhe të punësimit të tyre”, tha ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.