Taksapaguesit europian kontribues të zhvillimit ekonomik në Kosovë

PRISHTINË, 17 janar /ATSH/ – Ministria e Financave dhe Banka Europiane për Investime, kanë nënshkruar marrëveshjen grant për mbështetje të projektit për ndërtimin e autostradës Kijevë-Zahaq.

Marrëveshja është nënshkruar nga ministri i Financave, Bedri Hamza dhe udhëheqësi i Divizionit për Slloveninë, Kroacinë, dhe Ballkanin Perëndimor në Bankën Europiane për Investime, Matteo Rivellini.

Ministri i Financave, Bedri Hamza tha se kjo marrëveshje është në vlerë prej 1 milion euro, kontribut pa kthim nga Banka Investime Europiane. Sipas tij, kjo marrëveshje ka të bëjë për projektin infrastrukturor Kijevë-Zahaq, mirëpo shtoi se kanë në prioritet edhe projektet të tjera në vend.

Udhëheqësi i Divizionit për Slloveninë, Kroacinë dhe Ballkanin Perëndimor në Bankën Europiane për Investime, Matteo Rivellini tha se ky grant ka për qëllim të bëjë  projekte cilësore dhe me standarde europiane.

Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishte edhe ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, i cili shprehu mirënjohje për këtë grant.

Ministri Lekaj tha së shpejti pritet të shpallet tenderi për ndërtim dhe do të jenë të vëmendshëm që të kryhen me kohë këto procedura. Ai shtoi se pret që në fillim të majit të fillojë puna në terren. /KosovaPress/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.